Aida Dërguti

Aida Dërguti Falënderon të Gjobiturin Zafir Berisha Për Fitoren në Prizren

Nënkryetarja dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti ka falënderuar publikisht deputetin e Nismës për Kosovës, Zafir Berishën për fitoren e Mytaher Haskukës në Prizren.

“Meqë përfundimisht u konfirmua fitorja e Mytës në Prizren, i kam borxh një falënderim publik deputetit Zafir Berisha për angazhimin e sinqertë dhe kontributin e jashtëzakonshëm në fitoren tonë në Prizren. Shoku Zafë, falemnderit shumë”, ka shkruar fillimisht Dërguti në profilin e saj në Facebook.

Mirëpo 1 orë pas publikimit të këtij statusi, Dërguti e ka përmirësuar postimin duke falënderuar edhe aktivistët e VV-së dhe LDK-së.

Ajo e pranon se ka pasur një “marrëveshje”, me siç e quan ajo “shokun Zafë” për ta falënderuar në mënyrë të veçantë.

“Më duhet ta bëj një sqarim për të shmangur çdo keqkuptim. Natyrisht që fitorja do të ishte e pamundur pa angazhimin e aktivistëve e përkrahësve të LVV-së, si dhe elektoratit të LDK-së që në balotazh u përcaktuan për Mytën. Mirëpo, shokut Zafë i pata premtuar se do ta falënderoj në mënyrë të veçantë”, ka shkruar pastaj deputetja Dërguti.

Në zgjedhjet lokale në Prizren, në raundin e dytë garuan Mytaher Haskuka i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Shaqir Totaj i PDK-së.

http://kallxo.com/vv-koalicion-me-te-denuarin-per-keqperdorim-rryme/

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e gjobiti Lëvizjen Vetëvendosje me 12 mijë e 300 euro për thyerjen e heshtjes zgjedhore nga Zafir Berisha, i cili mbështeti në Facebook Mytaher Haskukën.

http://kallxo.com/lvv-ia-sheh-sherrin-zafir-berishes-denohet-12300-euro/

Zafir Berisha kishte qenë kandidat nga Nisma për Prizrenin, por që nuk kishte arritur të hynte në balotazh.

KQZ-ja fillimisht e kishte larguar nga gara Zafir Berishën për shkak që ky i fundit kishte qenë i dënuar për lidhje të paautorizuar të rrymës.

Mirëpo Gjykata Supreme e kishte kthyer përsëri në garë Berishën.

Në raundin e parë Zafir Berisha u rendit i pesti me 5,404 vota, ose 8,09 për qind të votave.

http://kallxo.com/gjykata-supreme-e-kthen-ne-gare-zafir-berishen/

Edhe pse LDK-ja zyrtarisht nuk kishte nënshkruar koalicion me Vetëvendosjen në Prizren, kandidati i kësaj partie, Hatim Baxhaku kishte kërkuar publikisht nga elektorati i LDK-së që të votojnë për ndryshim në garën e balotazhin, e që nënkuptonte të votohet për Lëvizjen Vetëvendosje.