Parku rekreativo-sportiv i ndërtuar në Qendrën e Studentëve - Foto: Facebook

Ahmeti Përuron Parkun, Nuk e Ftoi Drejtorin e Qendrës së Studentëve

Në prani të një numri të madh qytetarësh, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, përuroi sonte parkun rekreativo-sportiv në hapësirën e Qendrës së Studentëve të UP-së.

Ndonëse për ndërtimin e këtij parku kishte marrë pëlqimin e drejtorit të Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, kryetari i Prishtinës nuk e ka ftuar atë në ceremoninë e përurimit.

I pyetur nga KALLXO.com se pse nuk është ftuar në ceremoni edhe drejtori Sfishta, Shpend Ahmeti u përgjigj: “Po nuk është… Kjo është pronë e Komunës së Prishtinës”.

Parku rekreativo-sportiv është ndërtuar në hapësirën e Qendrës së Studentëve, saktësisht mbi palestrën sportive “1 Tetori”.

Përveç pëlqimit për ndërtimin e parkut Qendra e Studentëve i ka dhënë Komunës së Prishtinës edhe ujin e rrymën.

“Ujin e marrin nga ne. Energjinë elektrike e marrin nga ne”, tha për KALLXO.com drejtori Sfishta, i cili shtoi se nuk i di arsyet pse nuk është ftuar në ceremoni.

Ndryshe, parku rekreativo-sportiv është bashkëfinancim i Komunës së Prishtinës dhe organizatës zvicerane DEMOS.

Projekti ka kushtuar 220.000 euro.

Parku përbëhet nga një fushë basketbolli, tavolina pingpongu, një mur alpin, pajisje për ushtrime fizike dhe një banjo publike.

Me rastin e inaugurimit kryetari Ahmeti bëri thirrje që të ruhet parku.

Parku rekreativo-sportiv i ndërtuar në Qendrën e Studentëve – Foto: KALLXO.com