Shpend Ahmeti, kryetar i Komunës së Prishtinës. Foto: KALLXO.com

Ahmeti: Nuk do të Hyjmë në Koalicion me PDK-në

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, Shpend Ahmeti ka premtuar se VV nuk do të hyjë në koalicion as në diskutime me PDK-në.

“Ne si LVV nuk do të hyjmë në koalicion e as në kurrfarë diskutimi me PDK-në“, ka shkruar ai.

Ai vlerëson se edhe koalicioni LDK-AKR-Alternativa do të duhej të mos shkonte në kurrfarë diskutimi me PDK-në.

“PDK e ka vendin në opozitë, e ne nuk do të lejojmë që Thaçi ta deformojë vullnetin e popullit dhe proceset demokratike”, ka shkruar ai.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 11 qershorit ka shënuar rritjen më të madhe, duke dalë e dyta.

Sipas të dhënave të KQZ-së, pas numërimit të 99.88 për qind të votave, me 27.16 për qind të votave Vetëvendosja ka dalë e dyta, pas koalicionit PDK-AAK-Nisma që ka fituar 33.91 për qind, dhe para koalicionit LDK-AKR-Alternativa që ka fituar 25.79 për qind.