Kështu do të dukej Stadiumi Kombëtar sipas Presidentit Hashim Thaçi – Foto: Facebook

Ahmeti nuk e Do Stadiumin Nacional Jashtë Prishtinës

Shpend Ahmeti që po e kërkon edhe një mandat në krye të Prishtinës nuk e do stadiumin nacional jashtë kryeqytetit.

“Stadiumi kryesor i secilit shtet gjithmonë është në kryeqytet”, shkroi Ahmeti në Facebook.

Dje Kadri Veseli paralajmëroi ndërtimi e një stadiumi në Drenas, ndërsa qeveria e kaluar e Isa Mustafës e kishte caktuar në fshatin Bërnicë të Prishtinës ndërtimin e stadiumit ku do të luajë Kosova.

“Është e paarsyeshme që të diskutohet ndërtimi i çfarëdo stadiumi tjetër nga qeveria pa u ndërtuar stadiumi nacional në Bërnicë, Kryeqytet, Komuna e Prishtinës”, shkroi Shpend Ahmeti.

Për shkak se Kosova nuk ka stadium që plotëson kriteret e FIFA-s dhe UEFA-s, ndeshjet si vendase për kualifikimet e Kampionatit Botëror të Futbollit pëtfaqësuesja i zhvilloi në Shkodër.

KALLXO.com kishte shkruar vitin e kaluar për një vendim të Qeverisë Thaçi për ndërtimin e një stadiumi, i cili nuk ishte zbatuar asnjëherë.