Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti - Foto: Facebook

Ahmeti i Kërkon Ndihmë Haradinajt për Qentë Endacakë

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se situata me qentë endacakë ka arritur nivelin alarmant.

Pas publikimit të lajmit nga KALLXO.com se qentë endacakë e kanë sulmuar një fëmijë 4-vjeçar në lagjen “Emshir” të kryeqytetit, kryetari Ahmeti ka thënë se u bënë dy vite qëkur i ka dërguar letra Qeverisë e Presidencës për ta ngritur çështjen në nivel nacional të sigurisë por nuk ka marrë përgjigje.

“E kam potencuar se komunat nuk e kanë as mundësinë e as instrumentet me u ballafaqu me këtë dukuri vetë”, ka shkruar i pari i Prishtinës në profilin e tij në “Facebook”.

Ahmeti ka thënë se Komuna nuk mundet as ta ndryshojë legjislacionin e as ta zgjidhë problemin vetëm brenda kufijve të saj.

“Përkundër faktit që ndajmë mjete për çdo vit qe dy herë nuk aplikon askush në shpalljen e prokurimit”, ka treguar ai.

Më tej, kryetari i Prishtinës thekson se janë të gatshëm të kontribuojmë financiarisht për zgjidhjen e problemit por insiston se nuk munden vetë.

“Po i bëj apel edhe kryeministrit Haradinaj që Qeveria ta ngrit gjendjen e gatishmërisë sepse nuk ka çështje më të rëndësishme për qytetarin. Duhet dhe mund të mobilizohet AVUK, Universiteti i Prishtinës, FSK, organizatat për mbrojtjen e kafshëve, komunat edhe secili komunitet por duhet të bëhet tani”, ka shtuar ai.

“Ne, sot kemi vendosur të shpallim gjendjen e jashtëzakonshme në komunën tonë që të mund të marrim vendime të shpejta të kontraktimit në përputhje me ligjin por druajmë se nuk mjafton”, ka nënvizuar Shpend Ahmeti, duke kërkuar që të punojnë së bashku për të arritur zgjidhje të pranueshme për të gjithë.

Dje, KALLXO.com raportoi për një fëmijë nga Prishtina, i cili ishte sulmuar nga qentë endacakë dhe kishte përfunduar në QKUK.