Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti - Foto: Facebook

Ahmeti ia Përmend Mustafës 46.000 Ndërtimet Pa Leje e Tjetërsimin e Pronave

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se që nga postimi i tij i mbrëmshëm për më të votuarit e listës së LDK-së për asamble të Prishtinës është përballur me një varg sulmesh nga zyrtarë të LDK-së.

“Pas postimit tim mbrëmë për më të votuarit e listës së LDK, Agim Gashin, Halim Halimin, Shefki Gashin e djalin e Feim Salihut, qenkan çu me sulme secili prej tyre, me në krye Isa Mustafën, e që në fakt veçse e dëshmon atë që e kam thënë mbrëmë, që kjo garë është e kaluara vs. e ardhmja”, ka shkruar Ahmeti në profilin e tij në “Facebook”.

Ai më tutje i është kundërpërgjigjur kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, se nuk ka sajuar numër të dosjeve.

“Z. Mustafa, dosjet nuk janë më shtatëdhjetë. Edhe me dasht me i hjek dosjet, nuk mundemi me saju ndërtesat që janë në ato dosje, pa leje, me vendime për rrënime, e që qëndrojnë në Prishtinë. Në fakt nuk mundem me i saju 46000 ndërtimet pa leje tuajat, te Shefkiut e Agimit. Nuk muj me i saju tjetërsimet e pronave, e nuk mundem me i saju dallaveret në tenderë. Kësaj do të ja shtoj edhe paditë personale për shpifje që po i bën për çdo ditë por tash prej llogarisë tuaj të facebookut e jo përmes portaleve të paguara me pare të qeverisë”, ka shkruar Shpend Ahmeti.

Kjo kundërpërgjigje erdhi pas reagimit të Isa Mustafës po ashtu në “Facebook”, ku ai kishte përmendur disa prej veprimeve të kryetarit aktual të Prishtinës, që ai i konsideron skandale por që sipas tij me to nuk do të merret kandidati i LDK-së për Prishtinën, Arban Abrashi.

http://kallxo.com/isa-mustafa-i-kthehet-ceshtjes-se-q7-dhe-propagandes-se-vetevendosjes/

“Nuk besoj se Kryetari i ri i Prishtinës, Arban Abrashi do të merret me sajime të dosjeve dhe me propagandë. Me udhëtimet me jahte të Shpend Ahmetit, fluturimet e tij me aeroplan privat, të bizneseve që operojnë edhe në Prishtinë, për të përcjellë ndeshjet jashtë vendit; me dhënien në shfrytëzim të pronave të komunës në procedurë jo konkurruese (për çfarë një kryetar tjetër i një komune po sillet vërdallë qe 8 vite nëpër gjyqe)”, deklaroi Mustafa.

Në anën tjetër Ahmeti i ka ftuar në debat “një me një” duke thënë se e kaluara e LDK-së nuk do të kthehet asnjëherë në Prishtinë.

“Por për të gjitha këto, meqenëse Abrashi ka probleme shëndetësore me dhëmbë dhe nuk po del në debate, po ju ftoj në debat një me një, ku flasim për secilen prej atyre dosjeve, për kompanitë e ndryshme që na i latë objektet me probleme ende pa u përfundu, për Ligjin për Prishtinën e për Pallatin e Rinisë e plotë tema tjera. Merrne edhe Agimin, Halimin e Shefkiun. Se ashtu ashtu ju jeni qata që po doni me u kthy”, theksoi Ahmeti.

E edhe Abrashi e kishte ftuar kundërkandidatin e tij në pesë debate të ndryshme.

“Kundërkandidatin e ftoj në pesë debate, në pesë televizione të ndryshme, në pesë mbrëmjet e javës së balotazhit nga një debat. Nëse dëshiron, le të merr edhe të tjerë me vete. Përndryshe me padurim po pres debatet, sepse çdo ditë do të prezantoj diçka të re, rreth mospunës së tij dhe projekteve të mia”, ka shkruar Abrashi në “Facebook”.

Ndryshe, fushata për zgjedhjet e balotazhit do të fillojë më 13 nëntor dhe do të zgjasë deri më 17 nëntor, ndërsa më 19 rreth i dytë i zgjedhjeve lokale.