Ilustrim. Foto: Kallxo.com

Ahmeti e Qartëson: Asnjë Veturë Nuk Do të Hyjë në Qendër

I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti  ka dhënë qartësime në lidhje me vendimet që komuna i ka marrë për uljen e vlerës së ndotjes së ajrit.

Ahmeti ka treguar se do të ndalohet qarkullimi i veturave në rrugë të qendrës gjatë ditës, por në këto rrugë do të qarkullojë vetëm transporti publik falas.

“Do të ndalohet qarkullimi për makina në rrugë të qendrës gjatë ditës përveç transportit publik, i cili do të jetë falas. (Pra nuk bëhet fjalë për tabela, këto komuna e ato komuna) e as për hymje të qytetit”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Një prej vendimeve tjera është edhe ndalja e shitjes së thëngjillit dhe përdorimi i tij nga bizneset nëpër lagje.

“Kjo është fazë emergjente dhe në momentin e stabilizimit të situatës hiqen këto masa. Shëndeti është primar dhe këto janë masat afatshkurte që mundet me i ndërmarrë komuna. Tjerat janë kompetencë e nivelit qendror”, ka shkruar Ahmeti.

Në orën 14:00, kryetari Ahmeti do të mbajë konferencë për media ku do të japë më shumë qartësime në lidhje më këto vendime të Komunës së Prishtinës.