Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti - Foto: Facebook

Ahmeti: BDI – Vendimtare Kush do t’i Drejtojë Proceset

Në konferencën e parë për shtyp pas përfundimit të votimeve në zgjedhjet e përgjithshme në Maqedoni, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, tha se me hidhërim e thotë faktin se shqiptarët kanë humbur mandate në këto zgjedhje të parakohshme.

Sipas Ahmetit, BDI do të ketë 11 mandate, partitë e tjera shqiptare së bashku 10. “Kemi humbur 9 mandate”, tha ai për partitë shqiptare.

“BDI ka fituar zgjedhjet, por mua më ka interesuar të fitojnë shqiptarët në radhë të parë. Prandaj, nuk më gëzon fitorja e BDI-së“, theksoi lideri i BDI-së, duke nënvizuar se vazhdimisht ka apeluar te shqiptarët që të mos partizohen në parti të vogla, se do të jenë të humbura.

“Bashkimi Demokratik për Integrim do të jetë vendimtar se kush do të marrë përgjegjësinë për të drejtuar proceset”, theksoi Ali Ahmeti, duke shtuar se formacioni i tij do të punojë që vendi të shkojë drejt stabilitetit të plotë.

“BDI nuk ndyshon kursin e vet por do të punojmë që kursi ynë euroatlantik të materializohet”, tha Ahmeti në selinë e partisë së tij në Tetovë.

Ali Ahmeti përshëndeti zgjedhjet që sipas tij ishin pa eksese të theksuara.

Sipas rezultateve të pjesshme të Komisionit Shtetëror Zgjedhor të Maqedonisë, pas numërimit të mbi 66 për qind të votave, prinë VMRO-DPMNE me 41 për qind, e ndjekur nga LSDM me 36,57 për qind, pastaj vjen partia shqiptare BESA me 7,15 për qind, BDI me 6,57, Aleanca për Shqiptarët 4,66, PDSH me 3,1 për qind, etj.

Ndryshe, në Maqedoni sot janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme, në të cilat të drejtë vote kishin rreth 1,7 milionë votues.

Këto janë zgjedhjet e nënta të përgjithshme që kur Maqedonia u bë e pavarur në vitet 1990 dhe zgjedhjet e katërta të parakohshme rresht.

http://kallxo.com/maqedonia-voton-per-dalje-nga-kriza-e-gjate-politike/