Ahmet Isufi, Deputet, AAK

Ahmet Isufi: ‘Turistët’ ia Humbën Rrugën LDK-së

Ahmet Isufi tha se po çuditet si nuk u gjet asnjë fjalë e mirë për qeverinë aktuale

Debatin e sotëm për 100 ditëshin e Qeverisë Haradinaj Ahmet Isufi e konsideroi të tejkaluar dhe humbës të kohës që mund të shfrytëzohej për miratim të ligjeve.

Isufi tha se po çuditet se si opozita nuk e gjeti as një fjalë të vetme të mirë për qeverinë.

“Nuk u gjet së paku edhe një fjalë për një veprim të mirë të kësaj qeverie”, tha Isufi.

Deputeti i AAK-së reagoi ndaj ndërprerjes së fjalës të Ramush Haradinajt nga deputetë të LDK-së.

“Ajo çka më çudit më së shumti është LDK-ja. Ka pasë së paku një durim me e dëgju tjetrin, por tash kryeministrin e vendit nuk e lejojnë as ta përfundojë fjalën”, tha Isufi.

Për këtë gjë Isufi fajësoi ata që i quajti “turistë” që lëvizin nëpër parti politike, ndërsa kërkoi nga deputetët e LDK-së ta ruajnë durimin dhe të jenë të kulturuar, ashtu si ishin edhe në kohërat më të vështira për vendin.

Isufi përmendi si rezultate të qeverisë nënshkrimin e kontratave për Termocentralin “Kosova e Re”, miratimin e Ligjit për Prishtinën.

Isufi e cilësoi Haradinaj kryeministër të vërtetë dhe të sinqertë që e pranon edhe kur gabon.