Ahmet Isufi, Deputet, AAK

Ahmet Isufi Kërkon Vëmendje të Qeverisë për Anamoravën

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, i bëri thirrje qeverisë të sapo formuar që të mos e neglizhojë regjionin e Anamoravës sa i përket investimeve.

Isufi tha se regjioni që përfshin komunat e Gjilanit, Kamenicës dhe Vitisë nuk ka pasur fokus nga asnjë qeveri, me theks në autostradën që po pritet të ndërtohet për të lidhur këtë regjion me Prishtinën.

“Kam fjalën për shprehjen e shqetësimit të qytetarëve të Anamarovës që është lënë pas dore dhe është lënë zorrë qorre për Kosovën sepse kemi investime të pakta. Autostrada që është e paraparë që të kalojë në atë zonë duhet të bëhet. Është kërkesa e banorëve atje që të hapen dy pikëkalime kufitare në Sfircë dhe në pjesën me Kumanovën në mënyrë që të ketë komunikim të qytetarëve matanë dhe tej kufirit”, tha Isufi.

Këtë deklaratë Isufi e dha në kohën e deklarimeve jashtë rendit të ditës në seancën ku parashihet të mbahet interpelanca e Kryeministrit, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së GP të LDK-së për ta informuar Kuvendin mbi akuzat publike të shfaqura ndaj ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo.