Agron Përteshi: E Njoha Ushtarin pa Maskë

Në Emisionin “Drejtësia në Kosovë” familjarë të Haxhi Përteshit treguan se si u mor ai nga shtëpia më 26 qershor 1998 nga persona të maskuar me uniforma të UÇK-së.

Agron Përteshi, djali i Haxhi Përteshit tregoi në emision se si e njohu njërin nga ata që ia morën babanë, pasi ai ishte pa maskë.

Për “Drejtësia në Kosovë” Agron Përteshi tregoi çfarë kishin biseduar personat me maska me Haxhi Përteshin, i cili pesë ditë më vonë ishte  gjetur i vdekur në qendër të Fshatit Duhël.

Për rastin e Haxhi Përteshit Prokuroria Speciale më 19 tetor 2016 ngriti aktakuzë ndaj Remzi Shalës të cilin e akuzoi për krime lufte ndaj popullatës civile.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori vendor Haki Gecaj, Remzi Shala akuzohet se në qershor të 1998-ës bashkë me disa persona tjerë pjesëtarë të UÇK-së kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Në aktakuzë thuhet se Remzi Shala-“Molla e Kuqe” i armatosur me armë të gjatë dhe me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me 5-6 pjesëtarë të kësaj ushtrie të armatosur e me maska në fytyrë dhe të paidentifikuar deri tani, më 26 qershor 1998 rreth orës 23:00 për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi është duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar te shtëpia e tij duke e privuar nga liria.

“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar me datën 1 korrik 1998 trupi i pajetë i Haxhi Përteshit është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël”, thuhet në dispozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

http://kallxo.com/aktakuze-per-krime-lufte-ndaj-ish-ushtarit-te-uck-se/

Por Shala në “Drejtësia në Kosovë” tha se nuk ka gisht në vdekjen e Haxhi Përteshit. Ai deklaroi se akuzat që i janë veshur janë të pavërteta, pasi sipas tij asnjëherë nuk e ka njohur  tashmë të ndjerin Haxhi Përteshi dhe as nuk ka qenë kurrë në shtëpinë e tij gjatë luftës.

Në nëntor të vitit të kaluar në dy vazhdime emisioni “Drejtësia në Kosovë” solli rrëfimin dhe detajet për marrjen në shtëpitë e tyre të Ramiz Hoxhës e Selman Binishtit në Bellanicë të Malishevës më 2 tetor 1998.

Edhe Hoxha e Binishi, sikurse Haxhi Përteshi ishin vrarë më pas nën akuzat për bashkëpunëtorë të forcave serbe.

http://kallxo.com/prova-te-reja-per-vrasjen-e-bellanices-ne-vitin-1998/

Për vrasjen e këtyre dy personave është duke u gjykuar ish-komandanti i Brigadës 121 të UÇK-së Fatmir Limaj, i cili edhe në emision, por edhe në gjykatë mohoi këto vrasje.

http://kallxo.com/limaj-u-hetova-4-per-vrasjen-e-ramiz-hoxhes/

http://kallxo.com/fatmir-limaj-deklarohet-pafajshem/