Agron Mustafa në konferencë

Agron Mustafa: Nuk më Kanë Frikësuar dhe Nuk do të Zmbrapsem

Agron Mustafa, drejtori i Telekomit të Kosovës, përmes një konference të jashtëzakonshme ka rrëfyer për sulmin që ka ndodhur sot ndaj tij rreth orës 13:00 në rrugën “Enver Zymberi” në Prishtinë.

Drejtori i Telekomit të Kosovës ka thënë se deri tani nuk ka pasur ndonjë ngatërresë me Policinë e Kosovës dhe sipas tij i gjithë ky sulm ishte i organizuar.

“Kam qenë  i shokuar. Kam pasur probleme, kam pasur kërcënime, tash e 15 muaj kam pasur mbrojtje të afërt, por kurrë deri tash nuk kam pasur asnjë ngatërresë me Policinë e Kosovës e leje me ata në pozita të larta, me pasë probleme me ta e ata me më sulmu në pikë të ditës”, tha Mustafa.

Ai foli edhe për videon që u publikua në media nga incidenti i sotëm.

“Me u bindë që ka qenë mirë e organizuar, në video shihet se brenda në lokal ka qenë polici i cili nuk reagon fare. Më erdhi mirë që video doli dhe i demantoi deklaratat e tyre gjoja që unë i sulmova ata dhe kam tentu me ikë nga vendi i ngjarjes, ku unë vetëm e kam qitë kapelen dhe kam shku në stacionin policor”, është shprehur Mustafa.

Më tej Mustafa shpjegoi edhe kronologjinë e sulmit ndaj tij derisa ishte duke ecur në rrugën “Enver Zymberi” me shoqëruesin e tij.

“Pa edhe asnjë arsye të vetme polici e thërret me emër shoqëruesin tim, në tentim të përshëndetjes me të, fjala e parë e tij ishte hiqe këtë dorë, pa nja pa dy mu më sulmon me grusht, ‘Tarkani’ më kapë dhe më rrëzon dhe më shkelmon, unë tentoj të ngrihem lart, në video shihet se Nazim Sahiti, drejtori i krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës, me të cilin kurrë asnjë fjalë të vetme nuk e kam pasë,  largon shoqëruesin tim dhe ia lejon qasjen ‘Tarkanit’ që të vijë të më sulmojë mua, unë e shoh që më ka kapë nga prapa dikush, e kthej kokën dhe e shoh Nazimin i cili më thotë hup prej këtu se kështu e kështu ta boj”, ka theksuar Mustafa.

Mediat raportuan sot se Mustafa u sulmua nga pjesëtarët e policisë Nazim Sahiti e Avni Berisha.

Agron Mustafa gjatë konferencës tha se një distinktiv nuk mund t’ua mundësojë policëve të sillen si të duan.

“Mbi të gjitha shqetësimi im është se dy zyrtarë të lartë në polici e sulmojnë drejtorin e Telekomit të Kosovës pa asnjë arsyetim të vetëm, më shqetëson për vendin tonë, për fëmijët tanë, sot ma bënë mua e nesër ua bëjnë të tjerëve pse e kanë një distinktiv e me u sjellë si të dojnë në mes të Prishtinës”, tha Mustafa.

Mustafa tha se ngjarja që i ndodhi sot nuk do ta zmbrapsë.

Pavarësisht të gjithave puna ime do të vazhdojë, nuk do të zbrapsem. Po e shoh prej paralajmërimeve të fundit që lidershipi jonë me u marrë me Nazim Sahitin, ‘Tarkanin’ dhe të tjerët që janë të tillë si ata”, ka potencuar drejtori i Telekoit të Kosovës.

Mustafa ka rrëfyer se pas sulmit i ka pasur pantallonat e grisur, xhupin e grisur, gjurin dhe brinjët e lënduara,ndërsa tha se po merr frymë me vështirësi dhe po ndjen dhimbje gjatë frymëmarrjes.

Kur është pyetur nëse ky sulm ka lidhje me kontratën me Z Mobile ai është përgjigjur se e ka të vështirë ta besojë këtë.

“Unë e kam të vështirë me e besu që mund të ketë lidhje diçka me kontratën me Z Mobile, pavarësisht shantazheve e kërcënimeve që i kam marrë”, është përgjigjur Mustafa.

KALLXO.com shkroi sot se kanë nisur hetimet rreth marrëveshjes mes Telekomit dhe Z Mobile.

http://kallxo.com/prokuroria-speciale-nise-hetime-ndaj-agron-mustafes-dhe-zyrtareve-te-telekomit/

Drejtori i Telekomit të Kosovës ka shtuar se nuk e di arsyen e këtij sulmi.

“Nuk e di arsyen e këtij sulmi, atë duhet me ditë Nazim Hasani dhe Tarkani. Me pas ditë ma herët e kisha kthy rrugën veq mos me u taku me ta”, ka përfunduar Mustafa.

Policia tregoi sot se në incident u përfshinë katër persona, dy prej të cilëve u lënduan.

http://kallxo.com/policia-konfirmon-incidentin-ku-u-perfshi-agron-mustafa/

http://kallxo.com/sulmohet-agron-mustafa/