Njoftimi për ekspozitën konkuruese "Artistët e rinj" | Foto: Facebook

Agron Blakçori Merr Çmimin “Artistët e Rinj”

Çmimin “Artistët e Rinj” për të cilin në listë të ngushtë hynë pesë finalistë e fitoi Agron Blakçori.

Blakçori, së bashku me tre artistë tjerë dhe Grupin “Haveit” konkurruan për këtë çmim nëpërmjet një ekspozite me punimet e tyre të hapur në ambientet e Galerisë  Kombëtare të  Kosovës.

Pjesë e projektit ishin 29 kandidatë, ndërsa pesë finalistët u përzgjodhën nga juria e përbërë prej Natacha  Guilbeau-t  nga ambasada franceze, artistit Leutrim Fishekxhiu dhe artistit boshnjak Ibro  Hasanoviq.

Anëtarë të jurisë që përzgjodhi Agron Blakçorin fitues ishin: Sislej Xhafa, Adrian Paci dhe Maksut Vezgishi.

Anëtari i jurisë Sislej Xhafa, e arsyetoi pastaj vendimin për dhënien e çmimit Blakçorit.

“Arsyeja pse e kemi dhënë  këtë çmim është  për shkak të fuqisë së veprës , shpraztirës, hapësirës dhe të një angazhimi në aspektet e një  mentaliteti që  ekziston sot në Kosovë,” tha artisti Sislej Xhafa.

Artisti Xhafa më tutje inkurajoi vazhdimin e punës së artistëve pjesëmarrës të ekspozitës me fjalët se ata do të ishin të suksesshëm edhe sikur të krijonin në qytete metropolitane.

“Fuqia e artistëve sot jo vetëm  për shkak  që  fundoset  në  Kosovë, por unë  mendoj se kjo  ekspozitë  apo  këta  individë edhe me qenë  në  një qytet  metropolitan janë  gjithmonë  prezentë, të  jashtëzakonshëm, të  dallueshëm,” tha Xhafa.

Po ashtu në ekspozitë u tha që Kosova ka artistë të talentuar që përmes artit  e shprehin më së miri  ambientin  në të cilin jetojnë dhe krijojnë.

“Ekspozitat  të cilat organizohen për artistat e rinj për neve janë kënaqësi e madhe sepse  Kosova  ka shumë  artista të cilët më së miri e shprehin ambientin në të cilin jetojnë dhe krijojnë,”  tha kuratori i ekspozitës  Mehmet Behluli.

Emrat e finalistëve Bujar Sylejmani, Agron Blakçori, Jetullah Sylejmani, Grupi “Haveit”  dhe Luan Bajraktari  u bënë  të ditur  në muajin tetor nga Galeria  Kombëtare e Kosovës.

Redaktoi: Bekim Muhaxheri