AGK: Sulmet ndaj Gazetarëve të Hetohen me Prioritet

Duke dënuar sulmin në oborrin e shtëpisë së Mentor Shalës, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreh dëshpërim për qasjen e hetimit të sulmeve ndaj gazetarëve.

“Për organet e drejtësisë, jo vetëm ky rast, por edhe rasti i hedhjes së granatës së dorës në RTK, duhet të hetohen me prioritet. Gazetarët janë të dëshpëruar me qasjen e institucioneve në hetimin e rasteve që për objekt trajtimi kanë gazetarët,” thuhet në reagimin e AGK-së.

Kjo organizatë që mbron të drejtat e punonjësve medialë sulmin e cilëson tentim për t’i frikësuar gazetarët.

“Ky sulm është një veprim kriminal për të cilin autorët duhet t’i nënshtrohen përgjegjësisë penale. AGK kërkon nga institucionet, përkatësisht Policia e Kosovës dhe prokuroria që të hetojnë këtë rast i cili është vazhdimësi e sulmeve ndaj gazetarëve dhe mediave. Sulmet kanë për qëllim frikësimin e gazetarëve në Kosovë, posaçërisht atyre që punojnë në televizionin publik,” vijon reagimi.

AGK-ja pati reaguar edhe kur u sulmua RTK-ja me granatë dore më 23 gusht.

http://kallxo.com/agk-sulm-per-te-frikesuar-gazetaret/