AGK Reagon Ndaj Komunikimit të Veselit me Gazetaren

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ndaj Kryetarit të Parlamentit, Kadri Veseli për ofendim ndaj gazetares së Koha Ditore, Saranda Ramaj.

Në një konferencë që Veseli pati sot pas vizititës së tij në një nga klinikat e QKUK-së ai e quajti Ramajn ‘gazetare e politizuar’, në përgjigjen ndaj pyetjes së gazetares.

“Duke ju referuar mënyrës së përgjigjes dhe konotacionit negativ, ne kërkojmë nga kryeparlamentari, gjithësecili politikan dhe udhëheqës shtetëror që të zgjedh forma më të mira të kundërshtimit sesa rrëshqitja në akuza të tilla që për qëllim kanë dëmtimin e imazhit të gazetarëve.”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Ata po ashtu sugjeruan që politikanët në përgjithësi të jenë më të respektueshëm në komunikim me gazetarët.

“AGK konsideron se kryeparlamentari do të duhej të përgjigjej në mënyrë profesionale duke dhënë argumentet e nevojshme e jo të vepronte në këtë formë”, thuhet tutje në komunikatë.