Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

AGK Kërkon të Trajtohen Lëndët e Kërcënimit të Gazetarëve

Përfaqësues të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës kanë takuar të enjten kryetaren e Gjykatës Themelore në Prishtinë Afërdita Bytyqi.

Qëllimi i takimit ishte diskutimi i kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve që gjenden si lënë të papërfunduara në këtë gjykatë për tash e sa vjet.

“Kryetari i AGK-së, Shkëlqim Hysenaj prezantoi para kryetares Bytyqi raportin e fundit të asociacionit duke u fokusuar në rekomandimet e dala për gjyqësorin, ku ndër të tjera kërkohet trajtim me kohë për të gjitha rastet ndaj gazetarëve, duke përfshirë sulmet fizike, kërcënimet, frikësimet dhe shantazhet”, thuhet në komunikatën e AGK-së.

Sipas AGK-së, Gjykata Themelore në Prishtinë përfshin shumicën e këtyre rasteve në vend.

“Kryetarja Bytyqi theksoi se do të kërkojë nga gjykatësit përkatës që të punojnë më shpejt në rastet e gazetarëve që janë viktima të dhunës, si në lëmin civil, po ashtu edhe penal. Gjykata në bashkëpunim me AGK-në do të identifikojnë të gjitha rastet e gazetarëve dhe profesionistëve tjerë mediaë që janë si viktima e që presin drejtësinë të thotë fjalën e fundit”, thuhet në komunikatë.

AGK-ja u bën thirrje të gjithë gazetarëve që kur të pranojnë ftesa që të paraqiten në gjykata apo prokurori, të lajmërojnë paraprakisht asociacionin.

Një javë më parë KALLXO.com shkroi se kryeprokurori Aleksandër Lumezi mori vendim që prokurori Besim Kelmendi të caktohet si koordinator për rastet e kanosjes apo veprave të tjera penale që kryhen ndaj gazetarëve.

http://kallxo.com/gazetaret-prokuror-te-vecante-qe-heton-kercenimet/

Me 23 shkurt të këtij viti emisioni “Jeta në Kosovë” diskutoi për sigurinë e gazetarëve në Kosovë dhe për reagimin institucional në këto raste

Siguria e Gazetarëve

AGK kërkoi nga kryetarja e Gjykatës në Prishtinë që të krijojë transparencë në proceset gjyqësore, sidomos ndaj figurave të larta publike që paraqesin interes të lartë për opinionin publik.

Seancat e gjykimit të ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit Salih Mekaj janë mbyllur për publikun.

http://kallxo.com/agk-kerkon-nga-gjykata-te-hapet-per-rastin-e-salih-mekajt/