Vizatimi në formë kryqi në derën e banesës së Arbana Xharrës. Foto: Facebook

AGK Kërkon nga Policia të Hetohet Kërcënimi Ndaj Arbana Xharrës

Gazetarja Xharra raportoi gjatë ditës se persona të panjohur ia kanë vizatuar një simbol në formë kryqi me ngjyrë të kuqe në hyrje të banesës.

Prandaj AGK kërkoi nga Policia e Kosovës që sa më parë të hetojë këtë rast.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës do ta përcjellë me kujdes rastin në fjalë duke kërkuar hetime të shpejta dhe efikase nga organet e rendit”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Më herët gjatë ditës, gazetarja Arbana Xharra ka publikuar disa fotografi dhe ka treguar se është kërcënuar.

Në muret e banesës së saj dhe të familjes së saj janë vizatuar disa shenja me ngjyrë të kuqe.

Në një postim ajo tregon se ky akt është përpjekje për ta frikësuar ndërsa kërkon nga organet e drejtësisë që të hetohet rasti.

“Tashmë e sa kohë po përpiqeni të më frikësoni, të ma mbyllni gojën. Edhe unë njeri jam, kam familje, e njoh edhe drojën. Por, çuditërisht, droja më jep kurajë dhe më nxit, më jep fuqi për të vijuar, për të mos u ndalur. Këto kryqe, me këtë ngjyrë që i ngjan gjakut, vetëm Ju e dini për çka i keni bërë. Po shpresoj që organet e drejtësisë do t’ju gjejnë, kapin dhe dënojnë. Linçimet publike politiko-shoqërore, që shumë njerëz m’i kanë bërë kohëve të fundit, u kanë dhënë zemër qyqarëve të më vijnë tek dera e shtëpisë dhe ju jeni bashkëpërgjegjës”, thuhet në postimin e Xharrës.