AGK Fton Gazetarët ta Respektojnë Kodin e Etikës

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) u ka bërë thirrje gazetarëve që të respektojnë Kodin e Etikës. Gjithashtu, thekson se nuk komenton mendimet e gazetarëve në rrjetet sociale.

Reagimi i AGK-së erdhi pas debatit, i cili nisi dy ditë më parë, mes kryeredaktores së gazetës “Zëri”, Arbana Xharra dhe anëtarit të Vetëvendosjes, Arbër Zaimi, debat në të cilin u përfshinë edhe aktivistë të tjerë të kësaj partie, shoqëria civile si dhe ministrja e Drejtësisë.

Në komunikatën e AGK-së thuhet se Asociacioni nuk komenton qëndrimet personale të gazetarëve në rrjetet sociale.

“Nuk është në punën AGK-së që të komentojë apo mbajë qëndrim në raport me mendimet personale të gazetarëve, në këtë rast të znj. Arbana Xharra, e cila në profilin e saj në Facebook ka replikuar me aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u ka bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira në këtë debat që t’i shfrytëzojnë institucionet kompetente për t’i zgjidhur problemet mes vete, qofshin ato kërcënime, fyerje apo gjuhë e urrejtjes. Po ashtu ka kërkuar nga ta që të kursehen nga këto veprime.

“Ne jemi kundër çdo lloj fushate denigruese, linçuese apo edhe kërcënuese ndaj gazetarëve si dhe ndaj çdo lloj ofendimi që mund të bëjnë gazetarët”, thuhet në komunikatë.

Ky diskutim në rrjetet sociale nisi pas një postimi të gazetares Arbana Xharra në Facebook, në të cilin ajo komenton një status të aktivistit Zaimi.

“Arber Zaimi, milic i Sheshelit qe vjen me na shite mend ne Kosove se ne Tirane nuk ia blen kush. Mrrrsh ne kotecin tënd!”, kishte shkruar Xharra, duke komentuar statusin paraprak të Zaimit, në të cilin ai kishte shkruar se ajo çfarë e bashkon gazetaren Xharra me Sali Bershën, madje edhe me Hashim Thaçin, Isa Mustafën, Kadri Veselin është të qenit pro shitjes a faljes së mijërave kilometrave të Kosovës.

“Siç duket ka ndonjë informacion sekret nga Michelle Obama se me ta shitur tokën e Kosovës te Mali i Zi, do të ndalet korrupsioni e do të zhvillohen spitalet, se s’po ka ku shërohet Arbana.”, kishte shkruar Zaimi.

Pas kësaj kishte reaguar edhe zëdhënësi i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi.

“Populli ynë nuk është budallë kur thotë “me kë rri, ashtu bëhesh”. Arbana, ke nejt shumë me Berat Buzhalën kohëve të fundit. Kaq muj me thënë për shkrimin tënd të fundit plot etiketa, mllef, provincializëm e të pavërteta.”

Më vonë, vet Xharra kishte shkruar prapë, duke thënë se “fletërrufetë e Vetëvendosjes” nuk mund të frikësojnë gazetarët e pavarur, duke krahasuar këtë me sistemin e Enver Hoxhës.

“Lëvizja Vetëvendosje me ushtrinë e saj të Facebookut vazhdon të bëjë presion ndaj çdokujt që nuk rreshtohet pas saj. Kush nuk i bindet diktatit të saj, kryqëzohet dhe etiketohet pamëshirshëm, madje jo vetëm personalisht, por edhe familjarisht”, kishte shkruar ajo.

Në mbrojtje gazetares i doli ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, e cila theksoi se linçimet e organizuara nga Vetëvendosje janë denigruese për një shoqëri që synon të jetë demokratike.

“Profesioni i gazetarit është i shenjtë dhe si i tillë duhet të pranohet nga të gjithë. Andaj, linçimet që po i bëhen kryeredaktores së gazetës “Zëri”, Arbana Xharra, nga Lëvizja Vetëvendosje, janë të papranueshme”, ka shkruar Hoxha.