Arkiv - Ilustrim - Grafitet në muret e shkollës në Uglar, Foto: AGK

AGK Dënon Gjuhën e Urrejtjes të 'TV Most'

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dërgon kritikë të ashpër redaksisë së televizionit “Most” me seli në Zveçan për shkak të përdorimit të gjuhës së urrejtjes në artikullin “Terroristët shqiptarë kërcënojnë Marko Gjuriqin”.

“TV Most” ka publikuar një artikull të shkurtër në lajmet e mbrëmjes së 28 janarit 2018 në lidhje me shënimin e disa grafiteve në një shkollë fillore në fshatin Uglar, që gjendet në afërsi të Fushë-Kosovës, ku mësimin e ndjekin fëmijët e komunitetit serb.

Më pas, në portalin e këtij televizioni, është përdorur termi “Siptari” i cili është ofendues ndaj shqiptarëve dhe i cili shpjegon disa detaje të tjera të këtij incidenti, me titull “Terroristët shqiptarë kërcënojnë Marko Gjuriqin”.

AGK vazhdon më tej duke thënë se ky medium ka shkelur kodin etik duke përdorur po ashtu termin “terroristë” duke e cilësuar vet ky medium se rasti në fjalë ka të bëjë me ‘terrorizëm’.

“TV Most ka shfrytëzuar burimin e informacionit nga një medium tjetër për këtë ngjarje, Radio KiM-it në këtë rast, por vërehet hapur se titulli ofendues ka qenë i redaksisë së këtij televizioni”, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK konsideron se “TV Most” duke përdorur këtë term ofendues për shqiptarët ka thyer jo vetëm standardet etike por edhe normat ndërkombëtare që ndalojnë gjuhën e urrejtjes dhe të diskriminimit.

AGK përkujton mediumet në Kosovë se gjuha e urrejtjes është vepër penale e cila sanksionohet me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.