RTK, Prishtine. 21 maj 2015. Photo: Atdhe Mulla.

AGK Dënon Fjalorin e Drejtorit të RTK-së Ndaj Sindikalistëve

Në reagimin e lëshuar sot, AGK tha se gjuha e përdorur nga Shala paraqet “ofendim dhe kërcënim për punëtorët e mediumit publik, duke përfshirë anëtarët tanë që punojnë në këtë medium”.

“AGK konsideron se gjuha ofenduese dhe denigruese e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së është e papranueshme. AGK i rekomandon Bordit të RTK-së që si organ mbikëqyrës të distancohet nga fyerja e tillë”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Një natë më herët, Mentor Shala, përmes një postimi në Facebook, kishte shpërthyer në akuza ndaj këtyre punëtorëve duke i quajtur si “bakterie”.

Akuzat erdhën në ditën kur drejtues të Sindikatës u takuan me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Takimi me Veselin erdhi në kuadër të ciklit të takimeve që sindikalistët patën me pothuaj të gjitha grupet parlamentare të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.

“Në kohën kur definimi me ligj i çështjes së financimit dhe pronës së RTK-së është para përfundimit, janë intensifikuar përpjekjet e disa transmetuesve konkurent dhe disa partive politike duke i aktivizuar ‘bakteriet’ e tyre në RTK që me çdo kusht ta ndalojnë miratimin e këtij ligji duke u munduar kështu ta shkatërrojnë Transmetuesin Publik. I kuptoj plotësisht përpjekjet e KTV e RTV21 të cilat me rënien eventuale të RTK tentojnë ta marrin primatin në tregun medial transmetues, por nuk po i kuptoj disa ‘bakterie’ të RTK-së të cilët pa RTK-në as qentë nuk i hajnë, se si e harxhojnë tërë energjinë për me shkatërru RTK-në dhe atë duke kërkuar ndihmë nga politika!!!”, shkroi Mentor Shala

“Prandaj edhe janë “bakterie” politike brenda RTK! Por për secilën bakterie ka antibiotik! RTK i ka kalu tana sfidat, madje edhe sulmet me bomba, prandaj keni kujdes!!!”, tha drejtori i përgjithshëm i RTK-së.

Menaxhmenti i RTK-së ku Shala është drejtor në mandatin e dytë dhe sindikata e drejtuar nga Fadil Hoxha kanë pasur shpesh në të kaluarën polemika publike të cilat pak vite më parë rezultuan edhe me largimin nga puna të Fadil Hoxhës dhe nënkryetarit të sindikatës, Arsim Halili.

Por vendimi u revokua pasi kjo ishte kërkuar nga Inspektorati i Punës.

Për Mentor Shalën, grupimi sindikal që përfaqësojnë Hoxha e Halili është i vogël brenda RTK-së.

“Ajo që është me rëndësi në RTK, 97% e stafit e dojnë vendin ku punojnë!”, tha ai.

Por në një intervistë mbrëmë në KTV, Fadil Hoxha tha se sindikata që ai drejton ka rreth 400 anëtarë.

Në takimin e djeshëm me kryeparlamentarin Veseli, sindikalistët thane ta kenë njoftuar kryeparlamentarin me gjendjen e përgjithshme në Transmetuesin Publik dhe problemet me të cilat përballet ky medium si pasojë e keq menaxhimit”, shkruan në komunikatën e SPRTK.

Ata kanë shprehur shqetësimin për “borxhet milionëshe në të cilat është zhytur medium publik, blerjen pa kontroll e pa mbulesë financiare të produkteve të jashtme, pagat e dyfishta klienteliste dhe shpenzimet enorme për pagat dhe meditjet e bordit drejtues dhe stafit megaloman menaxherial përfshirë mbi 10 këshilltarë, të cilat kapin shifrën prej mbi 600 mijë eurosh në vit”.