Nga konferenca e mëhershme për rrezikun bërthamor | Foto: KALLXO.com

Agjencia Për Mbrojtje Bërthamore me 6 Punëtorë

Një Agjenci roli i së cilës është i madh për sa i përket sigurisë në vend, është e përbërë vetëm nga 6 punëtorë bashkë me kryeshefin ekzekutiv Beqir Mezelxhiu.

Agjencia e Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore është e themeluar në vitin 2012.

Kjo agjenci është përgjegjëse për t’u ballafaquar me mbrojtjen e popullatës dhe të mjedisit nga ndikimi i dëmshëm që vjen nga rrezatimi.

Agjencia ka identifikuar në Kosovë rrezatimin që vjen materialet radioaktive- nga pajisjet që përdoren në klinikat e radiologjisë, onkologjisë dhe mjekësisë bërthamore. Ky rrezatim quhet jonizues.

Rrezatim tjetër i pranishëm në Kosovë është ai që krijohet nga fushat elektrike dhe mangnetike të antenave. Ky rrezatim është jo jonizues.

Problem në Kosovë është edhe mungesa e një deponie për mbajtjen sipas rregullave ndërkombëtare të mbetjeve radioaktive nga prodhimet e mëhershme industriale dhe disa ndërmarrje që ende krijojnë mbetje të tilla.

Beqir Mezelxhiu, kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore tha se edhe problemi i deponisë do të zgjidhet.

“Problemi i Kosovës në lidhje me këto mbetje është se Kosova akoma nuk e ka një deponi të përkohshme për depozitimin e këtyre deponive, e cila  me patjetër kërkon vëmendje por që për të cilën është përkujdesur Komisioni Europian”, tha Mezelxhiu për KALLXO.com.

Ky projekt sipas Beqir Mezelxhiut do të kushtojë 12.5 milionë euro. Ndërmarrja për Menaxhimin e Mbetjeve Radioaktive, e cila do të menaxhojë edhe me deponinë, do të funksionalizohet pasi që të përfundohet deponia, e që pritet të bëhet brenda 2 vjetësh.

Mezelxhiu nuk tregoi se ku ndodhen mbetjet radioaktive në Kosovë, por tregoi për KALLXO.com se shkalla e rrezikut nga to është mesatarisht e ulët. Nga pesë nivele rrezikshmërie, sipas tij Kosova ndodhet në të tretin.

Për Mezelxhiun Kosova ndodhet brenda sistemit regjional për mbrojtje bërthamore.

“Kosova i ka mirë të mbrojtur kufijtë e vet, i ka pajisjet që monitorojnë në kufijtë e Kosovës në lidhje  me parandalimin e trafikimit të pajisjeve të paligjshme me këto pajisje”, tha Mezelxhiu për KALLXO.com.

Kjo agjenci sot ka nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit me Departamentin e Energjisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes të cilit synohet zbulimi dhe parandalimi i trafikimit të paligjshëm të materialeve të veçanta bërthamore dhe materialeve të tjera radioaktive.

Institucionet përgjegjëse për zbatimin e memorandumit do të jenë Administrata Nacionale për Siguri Bërthamore e SHBA-së dhe Policia e Kosovës.

“Administrata për Siguri Bërthamore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nëpërmes memorandumit do t’i ofrojë Policisë së Kosovës bashkëpunim teknik dhe metodik, përfshi këtu montimin dhe përmirësimin e sistemeve teknike për zbulimin dhe identifikimin e këtyre materialeve në pikat e kontrollit kufitar të Kosovës”, ka thënë Mezelxhiu.

Rick Clarke, përfaqësues i Departamentit të Energjisë nga ShBA tha se ky memorandum i ndihmon Policisë së Kosovës në zbulimin dhe parandalimin e trafikimit të paligjshëm të materialeve të veçanta bërthamore dhe materialeve të tjera radioaktive.

Sipas tij, me memorandum parashikohet montimi dhe përmirësimi i sistemeve teknike për zbulimin dhe identifikimin e këtij materiali në pikat e kontrollit kufitar të Republikës së Kosovës. Policia e Kosovës këto pajisje do t’i ketë shumë shpejt në dispozicion.

Mezelxhiu tregoi për KALLXO.com se si funksionon dhe çfarë pune kryen Agjencia e Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore.

“Ne për shembull kemi plan të veçantë të inspektimeve në shërbimet spitalore dhe në këtë fushë nga përfundimi i vitit 2016 dhe një pjese të vitit 2017 kemi hasur në institucione të cilat e kanë pasë të rregullume shumë mirë aspektin e mbrojtjes nga rrezatimi, kemi hasë edhe në institucione të cilat e kanë mesatarisht mirë dhe ato që se kanë mirë”, tha Mezelxhiu.

Qëllimi i agjencisë sipas Mezelxhiut është që insstitucioneve t’u jepen afate për përmirëaim të mbrojtjes nga rrezatimi dhe të mos shkohet mënjëherë në dënime të tyre,

Mezelxhiu ankohet edhe për kornizë të papërshtatshme ligjore me të cilën funksionon agjencia.

Agjencia funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, ndërsa më parë ishte pjësë e Ministrisë së Ambientit.

“Mangësi kryesore e kësaj agjencie është korniza ligjore, ka vetëm dy ligje, Ligji për Agjencinë e Kosovës dhe Ligji bazik për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore, por që nuk janë të zbatueshme, sepse është bërë në periudhe kur kjo agjenci ka qenë nën menaxhimin e Ministrisë së Ambientit”, shpjegoi Mezelxhiu.

Sipas Mezelxhiut, është hartuar korniza e re ligjore dhe pritet funksionalizimi i Kuvendit që të bëhet edhe miratimi i saj.

Vitin e kaluar në Kosovë u zhvillua një konferencë në të cilën u fol për rrezikun bërthamor.

http://kallxo.com/kosova-te-ndeze-alarmin-ndaj-kercenimeve-berthamore/