Agim Zatriqi Nuk Prehet në Paqe, Gima Prehet në Urtësi

Me aq pak sa e kam pasë nderin ta njoh, e kam kuptuar se paqja nuk është gjendje në të cilën Gima është ndier rehat! Gima gjithmonë ka luftuar, është ballafaquar, i ka bërë ballë gjërave…

Të jesh inteligjent është mirë. Të jesh i informuar është edhe më mirë. Të jesh edhe inteligjent, edhe i informuar, është mençuri. Por, të jesh i mençur, i njerëzishëm, qenie me zemër të dëlirë është urtësi.

Urtësia është e vështirë, është sfidë, luftë e përditshme. Është gjithçka përpos paqes, ngase paqja fitohet me luftë!

E kanë akuzuar… e kanë sharë… ia kanë veshur të qenat e të paqenat… e vërteta është se ishte të gjitha nga ato, ashtu si një Princ i vërtetë që duhet të jetë edhe nënë edhe njerkë për fëmijët e vet. Kalorës që është i gatshëm për ta humbur betejën, që ta fitojë luftën. I thonë urtësi!

Akuza ndaj Agim Zatriqit nuk ka pasur vetëm nga armiqtë- e të tillë ka pasur mjaft: idiotë, injorantë, të pashkollë, të padalë, të pagdhendur, komandantë, dezertorë, politikanë, zyrtarë, ministra, kryeministra, nouveau riche…

Gimën e kanë akuzuar edhe miqtë, edhe ata të cilëve u ka bërë mirë, edhe ata të cilët i ka bërë idare, edhe ata të cilëve iu ka ndihmu, edhe ata të cilët i ka mësu, edhe ata të cilët u ka ndihmu me u “qiru”…

Të vetmit të cilët kurrë nuk e kanë shajtë as akuzu Agim Zatriqin janë ushtarët dhe punëtorët- ata të zbatimit të detyrave e obligimeve, ata që kanë punuar pa hile, ata të cilët e kanë njohur urtësinë e tij. Ata të cilët kanë qenë në paqe me luftën dhe betejat e Gimës.

E tërë ajo përvojë, e tërë ajo njohuri, e tërë ajo energji e dëlirë dhe e sinqertë e një Don Kishoti ultra-modern ka mundur të jetë e injoruar vetëm nga kuçedrat dhe bishat të cilat nuk e kanë pasur të huaj që të dërgojnë ujë në mullinj të huaj me erë e cila ende kutërbon zdral.

Kalorësi i urtësisë, Agim Zatriqi ka vdekur, duket se betejën e ka humbur, por luftën të cilën e ka luftuar e ka të fituar. Agim Zatriqi, Gima, është fitimtar, është fitues. Kalorësit e tillë, të urtit, gjithmonë fitojnë!

Mendimi i lirë, fjala e lirë, e vërtetë, e plotë, e artikuluar saktë, bukur, me finesë, e thënë me përgjegjësi në transmetues publik, vetëm për interes publik, për të mirë të përgjithshme do të fitojë. Kjo ka qenë beteja dhe lufta e Gimës!

Në luftën e Agim Zatriqit, njëri nga humbësit e mëdhenj jam edhe unë, ngase kam dështuar që t’i dokumentoj e arkivoj gabimet e sukseset e tij për të mësuar të gjithë ata që donë të mos dështojnë dhe të jenë më të mirë. Urtësia e Agim Zatriqit është dashur që të shënohet, të ruhet, për gjithmonë.

Fort gjatë kemi biseduar për një intervistë. Gima kurrë nuk ka thënë jo. Unë kurrë nuk kam insistuar, ngase në tymin e duhanit të tij kam besuar se  “ende ka kohë”. Sot e shoh se kohë nuk ka! Sot e shoh se urtësia duhet të jetë sot… tani… këtu… tash!

E besoj se humbës je edhe Ti lexues i nderuar, ngase nuk ke arritur që ta mësosh e që ta njohësh betejën e Agim Zatriqit, që ta kuptosh se paqja nuk është gjendje e natyrshme e njerëzve të mëdhenj e të urtë.

Agim Zatriqi, prehet në urtësi, përderisa neve na mbetet ta vazhdojmë betejën, të luftojmë si kalorës, të punojmë urtë, t’i shërbejmë publikut, deri sa e mira të fitojë.

Ta kujtojmë të gjithë Agim Zatriqin, njërin nga kalorësit e fundit të urtësisë së këtyre trevave! Gimë, shihemi në anën tjetër