Agim Bahtiri

Agim Bahtiri nuk Është në Dijeni për Aktakuzën

Aktakuza është ngritur edhe ndaj Haxhimet Feratit, shefit të Prokurimit në këtë komunë dhe personit me inicialet G. K., drejtor i një operatori ekonomik.

Prokuroria me anë të një komunikate bën të ditur se 3 të akuzuarit ngarkohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrëveshje për kufizimin e konkurrencës përmes ftesave për tender.

“Në mesin e të akuzuarve është kryetari i Komunës së Mitrovicës si dhe shefi i prokurimit pranë kësaj komune, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar mirë se duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë kanë keqpërdorë detyrën zyrtare duke i tejkaluar kompetencat e tyre ose duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare,” thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.

I kontaktuar nga KALLXO.com, kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri tha se nuk është në dijeni për ngritjen e aktakuzës ndaj tij.

Prokuroria bën me dije se në aktakuzë është përfshirë “edhe drejtori i një operatori ekonomik, për të cilin ekziston dyshimi i bazuar mirë se duke vepruar si përfaqësues i atij operatori ka paraqitur ofertë bazuar në një marrëveshje të kundërligjshme”.

Specialja precizon se qëllimi i kësaj oferte mes operatorit ekonomik dhe Komunës së Mitrovicës ishte kufizimi i konkurrencës së lirë.

“Me rastin e lidhjes së një kontrate në mes të autoritetit kontraktues-Komunës së Mitrovicës dhe Operatorit Ekonomik “HESALIGHT A/S me çmimin prej 767.940.00 €, kanë zbatuar procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, në kundërshtim me dispozitat ligjore të përcaktuara në Ligjin për Prokurim Publik,” vijon komunikata.

Prokuroria pretendon se me këto veprime të akuzuarit kishin qëllim t’i shkaktonin vetes ose tjetrit përfitim të kundërligjshëm, ndërsa dëm të madh buxhetit të Komunës së Mitrovicës dhe atij të Kosovës. [interaction id=”56d5977536e5105a3a304495″]