Agim Bahtiri

Agim Bahtiri Ngushëllon Familjen Ivanoviq

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i ka shprehur ngushëllime familjes së Oliver Ivanoviqit.

Bahtiri përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se pas situatës së krijuar në takim me ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, i ka kërkuar që ta shfrytëzojë autoritetin e tij te organet e rendit të cilat me prioritet ta trajtojnë rastin duke vënë para drejtësisë kryesit e këtij krimi.

Bahtiri po ashtu ka ftuar qytetarët për qetësi.

“Ftoj qytetarët që të qëndrojnë të qetë, sepse stabiliteti në këto momente na duhet më shumë se kurrë, për shkak se qarqe të caktuara me qëllim po duan ta destabilizojnë Kosovën në përgjithësi dhe Mitrovicën në veçanti, pak para disa proceseve të rëndësishme të cilat duhet t’i kalojmë së shpejti”, ka shkruar Bahtiri në postimin e tij.

Ndryshe, Oliver Ivanoviq u qëllua për vdekje me armë zjarri sot në mëngjes në Mitrovicën Veriore.