Ferid Agani | Foto: Facebook

Agani i Pazëvendësueshëm për PD-në

PD-ja do ta presë lirimin e Aganit nga akuza për keqpërdorim detyre, ndërsa ka kërkuar përshpejtim të lëndës që ai t’i kthehet sa më shpejt vendit të punës.

Përfaqësues të saj mohuan emrat e përfolur për zëvendësimin e Aganit.

Labinotë Demi-Murtezi, deputetja e vetme e kësaj partie, tha për KALLXO.com që PD-ja nuk është e interesuar të eksperimentojë me emra të rinj. Ajo shtoi se ata janë të sigurt në pafajësinë e ish-ministrit të mjedisit, Ferid Agani.

“Aktakuza nuk ka bazë të mjaftueshme. Ne do të presim lirimin e ministrit Agani që të rimarrë pozitën e ministrit. Deri atëherë punët do t’i kryejnë zëvendësministrat,” tha Demi-Murtezi

Sipas Demi-Murtezit, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me MPJ-në, në kohën kur Hashim Thaçi është zgjedhur President dhe se kjo nuk paraqet asnjë problem.

E pyetur nëse janë takuar me partnerët e koalicionit, ajo tha se shumë shpejt do të takohen.

“Kryetari Agani është në Turqi dhe nuk kemi mundur të takohemi. Javën tjetër presim që të takojmë partnerët e koalicionit dhe të flasim për qëndrimin tonë,” tregoi deputetja e Partisë së Drejtësisë.

Ajo po ashtu bëri të ditur se prej ngritjes së aktakuzës kundër Ferid Aganit dhe 63 të tjerëve, kryesia e ngushtë e kësaj partie është takuar dy herë.

“Ne jemi mbledhur dy herë që nga ngritja e aktakuzës. Ka qenë kërkesë e ministrit të lirohet nga detyra, e vendim i yni me pritë lirimin e tij. Por, kemi kërkuar që prokuroria të ketë konsideratë që lënda e ministrit të ndahet nga të tjerat dhe të kryhet sa më shpejt,” tha Demi-Murtezi.

Më 15 qershor, Prokuroria e Shtetit për Rastin “Stenta” ngriti aktakuzë ndaj 64 personave, në mes tyre edhe ndaj Ferid Aganit për periudhën kur ai ishte ministër i shëndetësisë.

http://kallxo.com/aktakuze-ndaj-ferid-aganit-dhe-63-personave-te-tjere/

Dy ditë pas ngritjes së aktakuzës, Agani kërkoi lirimin nga detyra nga kryeministri Mustafa.

Ky i fundit miratoi kërkesën e ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Ferid Agani më 20 qershor.

http://kallxo.com/ferid-agani-kerkon-lirim-nga-detyra/

http://kallxo.com/ferid-agani-lirohet-nga-detyra/

Ditë më parë Agani i tha KALLXO.com se e vetmja që i intereson është verdikti sa më i shpejtë dhe përfundimtar i organeve të drejtësisë.

“Të vetmet deklarata përkitazi me çështjen sa më përket mua deri në përfundim të saj do t’i japin organet e drejtësisë. Çështja është bërë gjyqësore, dihet se për çka jam i akuzuar, dhe e vetmja që tash më intereson është verdikti sa më i shpejtë dhe përfundimtar i organeve të drejtësisë gjyqësore mbi pafajësinë time të plotë,” tha ai.

Sot lënda e stentave i është dhënë një gjyqtareje, ndërsa seanca fillestare e këtij gjykimi pritet të nissë së shpejti.

http://kallxo.com/se-shpejti-seanca-e-pare-e-rastit-stenta/