Aftësimi Profesional, Nevojë Për Tregun e Punës në Kosovë

Hulumtimi i Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) prezantoi hulumtimin që ka të bëjë me rritjen e mundësive për nxënësit dhe të diplomuarit e shkollave të Arsimit dhe Aftësimit Profesional në tregun e punës.

Shpend Emini nga Demokracia për Zhvillim tha ky hulumtim është pjesë e disa serive të hulumtimeve të këtij instituti i realizuar në kuadër të interesit publik..

“Ky projekt hulumtimi është nxitur nga nevoja për të analizuar qeverisjen dhe strukturat e stimujve të arsimit dhe aftësimit profesional në Kosovë dhe ofron rekomandime sa u përket qeverisjes së sistemit të arsimit të aftësimit profesional në Kosovë dhe mbi atë se si kjo t’u përgjigjet më shumë nevojave aktuale dhe të ardhshme të tregut të punës”, tha Emini.

Për Lah Nitajn nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), vetë struktura e popullatës në Kosovë imponon vëmendje nga ana e institucioneve për përgatitjen e të rinjve për punë.

“Republika e Kosovës njihet botërisht se ka më shumë se gjysmën e popullsisë nën moshën 25 vjeçare dhe ky fakt në vetvete imponon nevojën që ne si shoqëri, si vend dhe si institucione të jemi shumë të fokusuar në krijimin e parakushteve dhe dhënien e punësisë për gjithë të rinjtë”, tha Nitaj.

Hulumtuesja e Arsimit dhe Aftësimit Profesional (AAP), Jehona Serhati, tha se të gjithë faktorët relevantë, duhet të punojnë në përmirësimin e gjendjes së arsimit dhe punës në Kosovë.

“Fëmijëve tanë dhe nxënësve duhet t’ua mësojmë që nuk është turp të punojnë punë fizike me duar, nuk duhet patjetër të jetë një diplomë universiteti për të qenë i suksesshëm në jetë”, tha Serhati.

Milan Bogdanoviq nga Fondacioni Heinrich Böll, që e ka mbështetur këtë projekt, tha se ky studim në mënyrë më konkrete i është përkushtuar një çështje e cila “reflekton vullnetin dhe përcaktimin e D4D për ta adresuar një çështje shumë të rëndësishme për arsimin dhe aftësimin në shoqërinë kosovare”.