Foto: Ilustrim

Afrim Hoti: Njohja Nuk Mund të Tërhiqet

Ligjëruesi i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, thotë se njohja e një shteti nga një shtet tjetër “nuk mund të tërhiqet”.

Në ditën kur ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, publikoi një notë verbale në të cilën Surinami thotë se e ka revokuar njohjen e pavarësisë së Kosovës, Hoti tha se kjo është e pamundur në aspektin juridik.

“Njohja botërisht, ligjërisht, shkencërisht dhe praktikisht është e njohur si akt juridik ndërkombëtar i parevokueshëm që do të thotë se në momentin kur ajo jepet nuk mund të tërhiqet prapa”, tha Hoti për KALLXO.com.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës nuk e ka konfirmuar ende vendimin e Surinamit, një shtet në Amerikën e Jugut, sado që në letrën e publikuar në Beograd qeveria e Surinamit ka thënë t’i ketë dërguar njoftimin për tërheqje të njohjes qeverisë në Prishtinë.

Surinami kishte njohur pavarësinë e Kosovës në korrik të vitit të kaluar.