????

Administrata Tatimore më e Suksesshme Sivjet

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), prezantoi sot të arriturat e saja për periudhën katërmujore të këtij viti.

Ministri i Financave Avdullah Hoti tha se kjo administratë ka hyrë në një trend pozitiv.

“ Me kënaqësi e them që trendi pozitiv i të hyrave po vazhdon në Administratën Tatimore të Kosovës. Gjatë këtyre katër muajve kemi pasur një rritje prej 5.7 milionë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitittë kaluar, pra me vitin 2015,“ tha ministri Hoti.

Hoti deklaroi se performanca e ATK-së i përmirëson edhe kushtet e të bërit biznes.

“Po vazhdojmë me përmirësimin e ambientit për biznes, pasi aktivitetet që i kryen Administrata Tatimore lidhen shumë me kushtet e të bërit biznes. Dhe ne presim që të kemi vlerësime pozitive nga raporti vjetor I Bankës Botërore sa i përket kushteve të bërit biznes në Kosovë,” tha Hoti.

Ministri përmendi ehe një reformë që do t’u ndihmojë bizneseve.

“Jemi duke finalizu një reformë sa i përket kësaj te numri unik i bizneseve që integron tre numra të ndryshëm: numrin fiskal, numrin e regjistrimit të bizneseve dhe numrin doganor në një numër të vetëm, bazuar në një memorandum në mes të ministrisë së Financave, Ministrisë së Tregtisë dhe Ministrisë së Administratës Publike,”  njoftoi ai.

Drejtori i ATK-së Sakip Imeri  tha se 132.1 milionë euro janë të hyrat e realizuara për këtë periudhë.

“ Ne gjatë këtij katërmujori kemi arritur që të realizojmë 132.1 milionë të hyra, ose 104.5 për qind që është realizimi në raport me vitin 2015, që nënkupton se ne kemi arritur diku 4.5 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ose 5.7 milionë euro,” tha ai.

Në prezantimin e këtij raporti, i pari i ATK-së tha 49. 2 milionë euro janë grumbulluar nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSh),  42 milionë euro nga Tatimi i të Ardhurave të Korporatave dhe 41 milionë euro nga Tatimi në të Ardhurat Personale.

Raporti thotë se gjatë periudhës janar-prill 2016 janë realizuar 17,046 vizita të zyrtarëve të Administratës Tatimore nëpër tatimpagues. Si rezultat i vizitave janë nxjerrë 70.6 milionë euro  qarkullim shtesë, nga mungesa në stoqe 12.7 milionë euro, tatim shtesë 4.5 milionë euro dhe ulje të kreditimit 2.5 milionë euro.

Për këtë periudhë katërmujore, janë realizuar 546 kontrolle , 41 nga të cilat mujore, 108 vjetore dhe 397 të gjata. Nga kontrollet e tilla janë realizuar 15.2 milionë euro të hyra  0.1 për qind nga të cilat janë nga kontrollet mujore, 1.2 milionë nga kontrollet vjetore dhe 13.9 milionë janë nga kontrollet e gjata.

Administrata Tatimore ka në plan për vitin 2016 inkasimin e 388 milionë eurove, prej tyre 370 milionë euro nga të hyrat e rregullta tatimore apo përmbushja vullnetare tatimore, 10 milionë euro të parapara nga falja e borxheve dhe 8 milionë euro nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Sipas raportit të ATK-së nga janari deri në prill të këtij viti janë falë borxhe 38.3 milionë euro, 34.2 milionë nga të cilat në periudhën 2000-2008 dhe 4.1 milionë në periudhën 2009-2014 ku përfshihen edhe ndëshkimet, interesi dhe gjobat.

Në këtë konferencë u tha se në tremujorin parë të këtij viti janë 171,436 qytetarë që kanë aplikuar për të përfituar nga udhëzimi administrativ për kuponët fiskalë dhe janë pranuar 165,202 pliko, ku 56,052 janë verifikuar  dhe pritet mbi 3 milionë euro të kthehen te qytetarët.

Ministri Hoti njoftoi se është hequr tarifa e bankave për rimbursimin e kuponëve fiskalë.