Kuvendi i Kosovës - Foto: KALLXO.com

Adem Mikullovci Pranon Propozimin e PAN-it

Drejtuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci, e pranoi propozimin e koalicionit PAN që vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të caktohet më 24 gusht.

Ai e ngarkoi sekretarinë e Kuvendit që t’ua dërgojë ftesat deputetëve për këtë seancë.

Propozimi për 24 gushtin u propozua dhe u mbështet nga përfaqësuesit e koalicionit Pan, Enver Hoxhaj, Pal Lekaj e Bilall Sherifi, ndërsa përfaqësues të koalicionit LDK-AKR-Alternativa kërkuan garanci se të gjithë deputetët do të jenë të pranishëm në seancë.

Ndërkohë, deputetëve të subjekteve të komuniteteve pakicë kërkuan formim të shpejtë të institucioneve ndërsa janë ankuar për situatën e vështirë në të cilën thanë se gjenden për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet subjekteve shqiptare.

“Natyrisht se më 24 gusht do të jemi në seancë dhe do të dalim me propozime konkrete”, tha Enver Hoxhaj nga PDK pas takimit.

Njëherë e përgjithmonë ky vend ka nevojë për dialog. Ajo që i ka munguar këtij vendi në vitet e fundit ka qenë mungesa e dialogut”, shtoi Hoxhaj.