Abelard Tahiri, Ministër i Drejtësisë. Foto: Facebook

Abelard Tahiri: Këto Janë Informatat që i Janë Dërguar Serbisë për Vrasjen e Ivanoviqit

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri për KALLXO.com ka treguar se cilat janë informatat që institucioni që ai drejton i ka dorëzuar autoriteteve të Serbisë, përmes Zyrës së Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviq.

“Këto janë informatat që u janë dërguar: raporti i autopsisë, raporti i vendit te ngjarjes, raporti balistik dhe foto dokumentacioni i vendit te ngjarjes”, ka thënë Tahiri për KALLXO.com.

Sipas tij, mbështetur në marrëveshjen e arritur me 2013 (e plotësuar/ndryshuar në tetor të vitit 2015) procesi i bashkëpunimit me Serbinë në fushën e bashkëpunimit juridik është duke vazhduar.

“Në pamundësi të komunikimit të drejtpërdrejt me autoritetet serbe, ne, kërkesat tona i përcjellim nëpërmjet Zyrës së Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, ne të njëjtën mënyrë edhe autoritetet serbe i përcjellin kërkesat e tyre. Gjer në tetor të vitit 2014, kërkesat tona për ndihmë juridike në çështje civile dhe penale janë përcjellë përmes EULEX-it”, tha ai.

Më pas, Tahiri ka shpjeguar kronologjinë e ngjarjeve që nga momenti i vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

“Në datë 18 janar 2018 përmes kanaleve të lartcekura e kemi pranuar një kërkesë nga autoritetet serbe, në të njëjtën datë kërkesa është përcjell tek Prokuroria Themelore në Mitrovice, po ashtu ne te njëjtën datë na është përgjigjur Prokuroria, e cila përgjigje i është përcjell po me 18 janar autoriteteve serbe (afat rekord)”, tha ai.

Po në këtë datë, shton ai, Prokuroria Themelore në Mitrovice e ka përcjellë një kërkesë drejtuar autoriteteve serbe për sigurim të dëshmive, në të njëjtën ditë kjo kërkesë i është transmetuar autoriteteve serbe përmes kanaleve të lartpërmendura, mirëpo deri me sot nuk kanë marrë përgjigje.

“Me 22 janar e kemi përcjell një kërkesë tjetër të Prokurorisë Themelore në Mitrovice për tek autoritetet serbe, por deri më sot nuk kemi pranuar përgjigje”.

Dy ditë më pas, në datë 24 janar Tahiri thotë se e kanë përcjellur një kërkesë tjetër të Prokurorisë Themelore në Mitrovice për tek autoritetet serbe përmes kanaleve të lartpërmendura.

“Gjithashtu në datë 31 janar e kemi pranuar një kërkesë nga Ministria e Drejtësisë e Serbisë, për të cilën Prokuroria Themelore në Mitrovicë është përgjigjur në datë 5 shkurt duke shkëmbye informatat informata të cilat nuk cenojnë zhvillimin e hetimeve ose procedurës penale’, përfundon ai.

Oliver Ivanoviq u vra para selisë së partisë së tij në Mitrovicën Veriore.