Pamje nga një marsh protestues pas vdekjes së Astrit Deharit - Foto: Atdhe Mulla

Abelard Tahiri: Albin Kurti po Manipulon me Rastin e Deharit

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka akuzuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin se po manipulon me rastin e vdekjes së ish- aktivistit të VV-së, Astrit Deharit.

Në një postim në profilin e tij në “Facebook’, Tahiri ka shkruar se zgjidhja e çështjes së vdekjes së Astrit Deharit është prioritet për të.

“Që në fillim të mandatit jam përkushtuar për të bërë të mundur një superekspertizë ndërkombëtare për rastin Dehari. Madje me kërkesë të prindërve, kemi tejkaluar edhe rekomandimet e Kuvendit duke bërë të mundur që kjo ekspertizë të kryhet në një institut në Zvicër, konform kërkesës së tyre”, ka shkruar Tahiri.

Gjatë konferencës së sotme të Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe deputeti Glauk Konjufca, kanë kërkuar interpelancë nga ana e kryeministrit Ramush Haradinaj lidhur me rastin e Astrit Deharit.

http://kallxo.com/vv-kerkon-interpelance-te-haradinajt-lidhur-rastin-dehari/

Sipas Tahirit, Kurti po vazhdon të manipulojë me rastin e Deharit.

“Albin Kurti vazhdon të manipulojë me një diskurs që në njërën anë privatizon individin, ndërsa në anën tjetër është përjashtues ndaj shoqërisë dhe institucioneve shtetërore. Këtë praktikë e zbatoi edhe sot gjatë një konference për medie. Ndjej vërtetë keqardhje për mënyrën se si ende manipulohet me rastin e të ndjerit Dehari dhe mbi mënyrën se si Albin Kurti përpiqet t’u vë gjërave konkrete, mjegullën e tij ideologjike”, ka theksuar ministri.

“Dua t’i kujtoj Albinit, se Astrit Dehari, para se të ishte anëtar i Vetëvendosjes, ishte qytetar i Republikës së Kosovës dhe Republika e Kosovës ka përgjegjësi për të gjithë qytetarët e saj pa dallim përkatësie politike, shumëfish dhe në mënyrë absolute në raport me pretendimet e përgjegjësisë që mund t’i kërkojë një grup politik, kushdo qoftë ai”, ka shkruar  më tutje Tahiri.

Ministri i Drejtësisë ka bërë të ditur se prokurori i rastit përmes Ambasadës së Zvicrës ka vënë kontakte dhe është në komunikim e sipër me institutin zviceran, me qëllim të qartësimit të plotë të këtij rasti.