Lumir Abdixhiku, deputet. Foto: Facebook.

Abdixhiku: Kryeministri Vendosi me Kryeneçësi

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas seancës për demarkacion e cila u shty për ditën e mërkurë për shkak të mungesës së një konsensusi politik në vend për të kaluar këtë projektligj.

Abdixhiku ka vlerësuar se Kosova po mbetet peng i inateve të një njeriu duke aluduar në Kryeministrin Ramush Haradinaj.

“ Pavarësisht se ofruam një zgjidhje, pavarësisht se kjo zgjidhje u pranua nga shumica e partive shqiptare, pavarësisht se të gjitha raportet – po e përsëris – të gjitha raportet e të gjitha komisioneve ishin në ligj, Kryeministri vendosi me kryeneçësi. Vendosi të mos lëvizë nga pozicioni i tij fillestarë që sipas secilit interpretim ligjor prodhonte kontraditë”, ka shkruar Abdixhiku në rrjetin e tij social.

Ai tha se gjuha ofenduese e Kryeministrit Haradinaj nuk ndikon te deputetët e LDK-së.

“Sa për gjuhën ofenduese të tij, ajo s’na shantazhon; s’mund të na shantazhojë. Ta harrojnë. Ajo veçse tregon nivelin qeverisës në vend. LDK do të votojë marrëveshjen, siç ka deklaruar gjithherë. Unanimisht, me 27 vota për – sapo të shmangen kontraditat ligjore”, deklaroi Abdixhiku.