Deputeti Lumir Abdixhiku - Foto: LDK

Abdixhiku Kërkon Pushim Nacional

Deputeti i LDK-së Lumir Abdixhiku tha se për shkak të ndotjes duhet marrë vendim për pushim njëjavor nacional.

“Të marrim ni masë nijavore të pushimit nacional, nuk besoj që humbim shumë”, tha Abdixhiku.

Ai tha se edhe mësimi duhet ndërprerë për t’u zëvendësuar në pranverë.

“Kur ajri është i rrezikshëm për jetë, cilësim bukur i madh, duhet të marrim masa immediate. Të ndërpresim mësimin, është më lehtë të zëvendësohet në pranverën e hershme. Në ditë si këto, Ministria e Shëndetësisë të shpërndajë maska falas për qytetarë, mos t’i blejmë”, tha Abdixhiku.

Ai e konsideroi “elefant të madh” ndotjen që vjen nga termocentralet.

“Ne duhet me iu kthy elefantit të madh, KEK-ut si ndotësit më të madh. Pa mbylljen e ‘Kosovës A’ si ndotësi më i madh që është vetëm 3 kilometra larg Prishtinës nuk ka përmirësim”, tha Abdixhiku.

Deputeti sot ishte në protestën kundër ndotjes e zhvilluar sot te shkallët e teatrit në Prishtinë.

Në seancën ku po debatohet për ndotjen alarmante të ajrit në Prishtinë të pranishëm janë 68 deputetë.

Seanca u iniciua nga kryetari i Kuvendit Kadri Veseli me mbështetjen e 40 deputetëve nënshkrues.