Aderime të reja në AAK - Foto: KALLXO.com

AAK-së i Bashkohen 50 Anëtarë të Rinj

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka organizuar ceremoni me rastin e aderimit të 50 anëtarëve të rinj nga komuna e Klinës.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se së bashku do të kontribuojnë në zhvillimin e Kosovës dhe integrimin e saj në familjen euro-atlantike.

“Unë ju uroj mirëseardhje të gjithë juve si anëtarë të Aleancës. Ne jemi këtu bashkë për me bo Kosovën si duhet shtet, me e aftësu Kosovën me i taku familjes euro-atlantike, dhe në vendin tonë me jetu me nder e me dinjitet ashtu si na takon”, tha Haradinaj.

Pal Mirdita tha se deri më tash ka qenë anëtar i PDK-se dhe se aderimin në AAK e ka bërë për të mirën e vendit dhe të gjithëve.

“Kam qenë anëtar i PDK-së qe 17 vite, por e kam pa të duhur me bo një ndryshim, me kalu në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës për të mirën e Lugut të Drinit, gjithë territorit të Kosovës, dhe të kufijve të Kosovës që kemi luftu e kemi derdh gjak për të”, tha anëtari i ri i AAK-së.

Anëtarët e rinj sot u pajisën me libreza të përkohshme për shkak të gjendjes së paevidentuar siç tha Haradinaj, kurse librezat e mirëfillta do t’u dhurohen nesër.

Ceremonia u mbajt në selinë qendrore të AAK-së, në Prishtinë.

Redaktoi: Naser Sertolli