Konferenca e AAK-së

AAK: Procesi Zgjedhor Shënoi Progres

Meliza Haradinaj- Stublla në konferencën e dytë të AAK-së për gazetarë vlerësoi se procesi i sotëm zgjedhor ka shënuar progres dhe këtë gjë e cilësoi lajm të mirë për Kosovën.

“Nuk ka incidente serioze përveç disa parregullsive të cilat janë raportuar me kohë dhe janë evidentuar nga institucionet”, tha haradinaj-Stublla.

Ajo i përgëzoi edhe qytetarët e Kosovës për balotazhin e sotëm.

“Qytetarët e vendit i përgëzojmë për një proces të qetë demokratik dhe mbi të gjitha të civilizuar dhe e vlerësojmë lart punën e institucioneve të vendit në mbarëvajtjen dhe organizimin e procesit zgjedhor”, deklaroi më tutje Haradinaj-Stublla.

Ajo u bëri thirrje atyre që nuk kanë votuar që t’i shfrytëzojnë orët e mbetura për ta kryer këtë obligim qytetar.

Sot në 19 komuna të Kosovës po zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, ndërsa në Partesh po votohet edhe për asamblenë komunale, edhe për kryetar.