AAK: Përpjekje për Mënjanim Politik të Haradinajt

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës reagoi pas vendimit të Gjykatës së Colmar-it në Francë për ta shtyrë vendimin në lidhje me kërkesën e Serbisë për ekstradim të Ramush Haradinajt.

“AAK dyshon se shtyrja e vendimit për lirimin e Haradinajt është përpjekje e drejtpërdrejtë për mënjanimin politik të tij”, thuhet në reagimin e AAK-së.

AAK-ja në reagim konstaton se gjykata franceze është vënë në shërbim të bashkëpunëtorëve të Millosheviqit

“Shtyrja edhe për një muaj e mbajtjes së Ramush Haradinajt në Francë është abuzim me drejtësinë. Vendimi është i palogjikshëm dhe krejtësisht i pakuptueshëm. Është e habitshme se si autoritetet gjyqësore të Francës, janë vënë në shërbim të ish- bashkëpunëtorëve të  Millosheviqit, të cilët përmes Haradinajt po e provokojnë rëndë stabilitetin dhe paqen në Kosovë”, vijon reagimi.

AAK thotë se po vonohet drejtësia për Haradinajn.

“Ne jemi të bindur se Haradinaj do të lirohet sepse të ashtuquajturat dëshmi të Serbisë kundër tij janë trillime dhe shpifje ordinere, por autoritetet franceze duhet ta kuptojnë se drejtësia e vonuar është padrejtësi dhe ato po e vonojnë drejtësinë në rastin Haradinaj”, përfundon reagimi.

Gjykata në qytetin Colmar të Francës në seancën e sotme kërkoi nga Serbia informata shtesë për kërkesën e saj ekstraduese, duke shtyrë vendimin deri më 6 prill.

Ramush Haradinaj që u arrestua nga autoritetet franceze më 4 janar, pas seancës së sotme veten e konsideroi peng politik.

http://kallxo.com/haradinaj-ne-france-deri-6-prill/