AAK i Përgjigjet VV-së për Akuzat Ndaj Ramush Haradinajt

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka reaguar ndaj seancës së sotme të Kuvendit në të cilën grupet parlamentare të Vetëvendosjes dhe LDK-AKR u mblodhën për ta vazhduar konstituimin e këtij institucioni.

AAK thotë se po bën “të pamundurën” për zhbllokimin e situatës së krijuar “duke krijuar parakushtet e realizimit të një të drejte kushtetuese, që është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, e që u pëlqeu apo jo deputetëve „neokomunistë“, ajo i përket grupimit më të madh politik në vend”.

“Nuk e konsiderojmë se situata e krijuar mund të marrë zgjidhje, me fjalime propagandistike e kundërkushtetuese në një mbledhje pa kuorum të Kuvendit”, thuhet në reagim.

Duke komentuar deklaratat që u dhanë në seancë nga deputetë të Vetëvendosjes, AAK foli edhe për akuzat se lideri i tyre Ramush haradinaj po bashkëpunon me njerëz të dyshuar për aktivitete kriminale në kërkim të mbështetjes për postin e kryeministrit.

“’Listën Serbe’ nuk ua sollëm ne! Atë e gjetëm në mesin tuaj, dhe ju neokomunistët e këtij vendi, mos u thirrni në patriotizëm, sepse patriotizmi pa akte patriotike, që juve u kanë munguar gjithmonë, mund të jetë vetëm strehë horrash”, thuhet në reagim.

“Përfaqësimi i serbëve kosovarë (në rastin kontekst Lista Serbe) në Institucionet e Republikës së Kosovës është kategori kushtetuese, dhe në çdo kombinim ata duhet të jenë pjesë e institucioneve, sepse kështu e keni gatuar vetë”, tha AAK.

“Kakarisjet e sotme në Kuvend, ishin një spektakël populizmi i një grupi jo-formal deputetësh, (në mesin e të cilëve edhe njerëz të akuzuar për terrorizëm), e jo debat parlamentar, sepse nuk mund të ketë debat në një seancë që nuk ka kuorum, madje kur seanca është konstituive, edhe në rast të kuorumit të plotë, nuk parashihet debati. Leni mbledhitë e kthejuni realitetit”, thuhet në reagimin e AAK-së.