AAK: Koalicioni në Pejë ‘Martesë interesash’

AAK-ja në Pejë e ka konsideruar koalicionin LDK-PDK të kësaj komune një “martesë interesash”.

“AAK – Dega në Pejë, koalicionin LDK-PDK në komunën e Pejës, si koalicion i ndërtuar kundër dëshirave të elektorateve të partive përkatëse e konsideron si martesë interesash të individëve dhe grupeve klanore që drejtojnë me këto subjekte në Pejë”, thuhet në reagimin e AAK-së.

Koalicioni mes LDK-së e PDK-së në Pejë u nënshkrua dje, ndërsa nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri e arsyetoi këtë koalicion kur foli për KALLXO.com.

http://kallxo.com/lutfi-haziri-e-arsyeton-koalicionin-me-pdk-ne-peje-rivaliteti-eshte-me-aak-ne/

AAK-ja në reagimin pas nënshkrimit të koalicionit tha se për të është vendosur shumë më herët.

“Koalicioni LDK-PDK për bashkëqeverisje në komunën e Pejës i cili u bë publik dje, është koalicion i ndërtuar fshehtas në muajin shtator të vitit të shkuar”, thuhet më tutje në reagimin e AAK-së.

AAK-ja koalicionin e cilësoi “ndërtim pa leje”.

“Si i tillë, ky koalicion është edhe një ndërtim pa leje, për ta marrë Pejën në qafë duke çuar deri në fund shkatërrimin total të jetës në këtë komunë”, vijon reagimi.

AAK-ja konsideron se koalicioni nuk do ta ketë jetën e gjatë, ndërsa zotohet se do t’i mbrojë interesat e qytetarëve.