Kuvendi Komunal i Pejës, Pejë, 04 qershor 2015 Photo: Atdhe Mulla

AAK-ja në Pejë Lëshon Asamblenë për Ramush Haradinajn

Pas vendimit të djeshëm që e lë në Francë deri më 6 prill Ramush Haradinajn, këshilltarët e AAK-së ndërprenë punën në kuvendin komunal.

Vendimin për mosmarrje pjesë në mbledhjet e asamblesë në Pejë deri një vendim tjetër për Ramush Haradinajn, e bëri të ditur në seancën e sotme Blerim Nikçi, shef i këshilltarëve të AAK-së.

“Me gjithë respektin z. Kryesues për ketë asamble, për këtë institucion dhe gjitha institucionet, me gjithë respektin që kemi për të gjithë juve si përfaqësues të qytetarëve ne nuk mund të marrim pjesë në punimet e këtij kuvendi deri në një vendim tjetër i cili sigurisht do jetë i lidhur me rastin Haradinaj. Andaj do ta lëshojmë ketë sallë me shpresën që ky vendim i joni të ndikojë në vetëdijen e institucioneve që mund dhe duhet të angazhohen për këtë rast,” tha Nikçi.

Pas fjalimit dhe njoftimit të Nikçit në Kuvend, asamblistët e AAK-së lëshuan sallën e mbledhjeve.

Shefat e grupeve të këshilltarëve nga subjektet tjera politike kërkuan që Kuvendi Komunal i Pejës të dalë me një deklaratë të përbashkët në lidhje me vendimin e djeshëm të gjykatës në qytetin Colmar të Francës që vendosi ta shtyjë për 6 prill vendimin për kërkesën ekstraduese të Serbisë ndaj Ramush Haradinajt.

Pastaj asambleja doli me një deklaratë të përbashkët në të cilën kërkohet që Ramush Haradinaj të lirohet nga autoritetet franceze, pasi sipas deklaratës ai e ka dëshmuar dy herë pafajësinë në Gjykatën e Hagës.

Dje KALLXO.com shkroi për vendimin e gjykatës franceze për Haradinajn.

http://kallxo.com/haradinaj-ne-france-deri-6-prill/

Aleanca për Ardhmërinë  e Kosovës ka thirrur protestë gjithëpopullore në Prishtinë më 4 mars për të kundërshtuar mbajtjen e Haradinajt në Francë.

http://kallxo.com/aak-therret-proteste-kunder-mbajtjes-se-haradinajt-ne-france/