AAK dhe Vetëvendosje Bashkohen në Pejë

Për herë të parë që nga e hëna kur u nda nga pjesa tjetër e opozitës për të shkuar në takim me kundërshtarët qeveritarë te Presidentja, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj është parë në shoqëri me përfaqësues të Vetëvendosjes dhe NISMA-s.

Subjektet politike opozitare kanë mbajtur takim me  të rinjtë e Pejës për  të diskutuar zhvillimet e fundit politike dhe organizimin për e protestës së 17 shkurtit në Prishtinë.

Opozita është e bashkuar me shumë së kurrë, thanë përfaqësuesit e saj para të rinjve pejanë, nga të cilët kërkuan mbështetje masive në protestën opozitare  në ditën e përvjetorit të tetë të pavarësisë së Kosovës.

I vetmi lideri i subjekteve opozitare në këtë takim ishte Ramush Haradinaj, i cili u tha të pranishmëve se opozita mbetet “më e bashkuar së kurrë”.

“Shihni pak kronologjinë e veprimeve, burgosjen e deputetëve, sulmet në seli të partive, sulmet në shtëpi. A po e shihni pak qysh është përdorë krejt një zinxhir i masave e deri te ato që i dëgjoni qysh Aleanca po hyn në qeveri”, tha Haradinaj gjatë tubimit.

Ai kërkoi që nga Peja të ketë organizim të madh për nisjen e protestuesve drejt Prishtinës në protestën e 17 shkurtit në Prishtinë.

Kreu i AAK-së tha së zgjidhje e vetme është largimi  i qeverisë Mustafa nga pushteti dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja.

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, përsëriti se opozita mbetet më e bashkuar se kurrë për kundërshtimin e marrëveshjeve dhe largimin e qeverisjes aktuale.

Përfaqësuesi i LVV-së u tha të rinjve nga Peja së opozita e bashkuar deri më tani ka ndërmarrë 6 thirrje për t’i parandaluar dy marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë dhe Malin e Zi dhe dorëheqjen e qeverisë. Konjufca tha se veprimi i shtatë do të jetë protesta e 17 shkurtit e cila, siç u shpreh Konuufca, pritet të jetë më masivja e organizuar nga opozita.

“Jemi të detyruar ta bëjmë edhe thirrjen e shtatë. Thirrja e shtatë do të ndodhë më 17 shkurt. Sërish populli i Kosovës masivisht do të dalë për t’i thënë stop kësaj qeverie dhe këtyre njerëzve të papërgjegjshëm të cilët duan ta cungojnë të ardhmen e Kosovës dhe sidomos të ardhmen e rinisë meqenëse më së shumti Kosova ju takon juve”, theksoi Konjufca.