954 Persona Janë Dënuar për Vjedhje të Votës

KALLXO.com ka siguruar të dhënat e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për numrin e rasteve penale dhe të personave të dënuar për vepra penale.

Kodi Penal i Kosovës në kapitullin XVIII parasheh veprat penale kundër të drejtës së votimit, për të cilat parashihet dënim deri në 5 vjet burg.

Sipas të dhënave të siguruara nga KALLXO.com në Këshillin Gjyqësor të Kosovës për vitet 2014, 2015 dhe 2016, të dënuar janë gjithsej 954 persona.

Numri më i madh i të dënuarve lidhur me vepra kundër të drejtës së votimit ishte në vitin 2014, kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare.

Të dhënat e KGjK-së flasin se u dënuan 481 persona në 111 raste penale, prej të cilëve 10 persona u dënuan me dënime me burg efektiv, 5 u dënuan me gjobë ndërsa 466 u dënuan me dënime me burg me kusht.

Në vitin 2015 nga gjyqësori në Kosovë u dënuan 232 persona në 77 raste penale. Prej tyre, 7 u dënuan me burg efektiv, 6 me gjobë ndërsa 212 me burg me kusht.

Dënime për keqpërdorime në votime pati edhe në vitin 2016.  241 persona u dënuan nga gjykata në Kosovë, prej të cilëve 8 me gjobë, ndërsa 233 me burg me kusht.

Me gjithë numrin e madh të dënimeve të shqiptuara, në fund të vitit 2016, gjykatat në Kosovë kishin edhe 233 raste në punë me gjithsej  508 persona.

KALLXO.com ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të dhënat edhe për vitet paraprake por drejtori i Departamentit të Statistikave në KGjK, Besnik Ramosaj, ka thënë se ky institucion këto të dhëna i ka të përpunuara për persona vetëm për zgjedhjet e vitit 2014.

Ditë më parë, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi tha se lëndët penale lidhur me zgjedhjet që do të mbahen më 11 qershor do të trajtohen me prioritet nga gjykatat e vendit.

Edhe kryeprokurori Aleksandër Lumezi paralajmëroi qytetarët dhe personat zyrtarë të angazhuar në zgjedhje që të kenë kujdes të shtuar në punën e tyre e gjithashtu paralajmëroi rritjen e numrit të prokurorëve.