Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

85-Vjeçari Akuzohet për Prodhim të Drogës

“Deklarohem i pafajshëm, se unë nuk kam mbjell asgjë”, deklaroi në Gjykatën e Prishtinës, Selatin Dumani, 58-vjeçar, pas leximit të aktakuzës.

Edhe i akuzuari tjetër, Hasan Dumani, u deklarua njëjtë. “Nuk e pranoj fajësinë. Edhe nuk është ai kanabis i kultivuar. Ne nuk e kemi kultivuar, e as nuk e përdorim”, tha 85-vjeçari.

Sipas aktakuzës ekziston dyshimi i bazuar mirë se të lartpërmendurit pa autorizim kanë kultivuar bimën e substancës së shpallur si narkotike në atë mënyrë që pa leje të autoritetit kompetent veç e veç kanë mbjellë në pronat e tyre në fshatin Miradi e Poshtme të Fushë Kosovës farat e bimës “Cannabis Sativa”.

Në bazë të aktakuzës të akuzuarit Selatin Dumani me 14 gusht të vitit 2012 në arën e mbjellë me qepë në sipërfaqe prej 7 ari, i janë gjetur dhe konfiskuar 100 bimë fije të gjata prej 30-150 cm.

Gjithmonë sipas aktakuzës, në të njëjtën ditë, në arën e të akuzuarit tjetër Hasan Dumani me sipërfaqe prej afër 3 ari, janë gjetur dhe konfiskuar 50 bimë fije të gjata po ashtu 30-150 cm.

Ky bari është klasifikuar si bimë narkotike me rrezikshmëri të lartë me Tabelën I të shtojcës së Ligjit nr. 02/L-128 për barna narkotike, substanca psikotrope dhe prekursore.

Për shkak të këtij veprimi të lartpërmendurit po akuzohen se kanë kryer veprën penale prodhimi dhe përpunim i paautorizuar i narkotikeve të rrezikshëm.

Shqyrtimi i dytë gjyqësor sa i përket kësaj çështjeje është caktuar për në fund të muajit.