Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

8 Vjet Burg për Shtytje në Vrasje

Trupi gjykues, i kryesuar nga Shpresa Hasaj-Hyseni, e ka shpallur fajtor të akuzuarin Shefki Zogjani për veprën penale shtytje në vrasje të rëndë të Bekim Osmanit.

Me këtë rast kryetarja e trupit gjykues deklaroi se në marrjen e vendimit Gjykata ka aplikuar dispozitat për zbutje të dënimit dhe ka pasur në konsideratë se i akuzuari nuk kishte kryer më herët ndonjë vepër penale dhe po ashtu ka pasur parasysh edhe gjendjen shëndetësore dhe moshën e të akuzuarit.

Shefki Zogjanit në dënim do t’i llogaritet edhe koha e mëhershme e kaluar në burg për ketë vepër penale në kohëzgjatje prej 5 vjet e 11 muaj.

Për këtë rast akuzohet edhe djali i Shefkiut, Hasim Zogjani, i cili akuzohet për ndihmë në kryerjen e kësaj vrasjeje.

Kur ndodhi vrasja për hakmarrje e Bekim Osmanit në Fushë-Kosovë në vitin 2006, Hasim Zogjani ishte i mitur.

Këtë vrasje dyshohet se e ka kryer i arratisuri Korab Zogjani, nipi i Shefki Zogianit, për t’u hakmarrë për vrasjen e vëllait të tij Kastriotit.

Aktakuza e ngarkonte Shefki Zogjanin se kishte ndikuar te Korab Zogjani që të merrte vendim për vrasjen e Bekim Osmanit për hakmarrje.

Kastriot Zogjani ishte vrarë në Fushë-Kosovë në vitin 2004 nga Avni Osmani, djali i axhës së Bekim Osmanit.

KALLXO.com raportoi edhe më parë për këtë rast gjyqësor.

http://kallxo.com/jepet-fjala-perfundimtare-ne-gjyqin-e-vrasjes-per-hakmarrje/

Rikthehet Gjykimi për Vrasjet e Fushë-Kosovës

Redaktoi: Naser Sertolli