Nënshkrimi i marrëveshjes mes kryetarit Haki Rugova dhe ministrit Arban Abrashi - Foto: Komuna e Istogut

8 Shtëpi për Familjet e Pastreha në Istog

Komuna e Istogut dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë nënshkruar marrëveshje për ndërtimin e 8 shtëpive për familjet e pastreha.

Projekti pritet të kushtojë rreth 100 mijë euro, 75 mijë prej të cilave do të sigurohen nga Komuna e 20 mijë të tjerat nga Ministria.

“Konsideroj që me këtë shumë do të ndërtojmë së paku 8 shtëpi mirëpo ne do t’i përkrahin këto familje edhe me material ndërtimor siç kemi bërë vite me radhë”, citohet të ketë thënë kryetari i Komunës, Haki Rugova.

Sipas Zyrës për Informim të Komunës së Istogut ministri Arban Abrashi pas takimi tha se realizimi i këtij projekti do përmirësojë jetën e disa familjeve të Istogut.

“Këtë mision fisnik në formë bashkëpunimi, ne nënshkruam sot një marrëveshje që nënkupton bashkimin e fondeve të Ministrisë dhe Komunës. Ky projekt do të ndihmojë në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Komunës së Istogut”, citohet të ketë thënë Abrashi.

Zëdhënësja e Komunës së Istogut, Jeta Balaj, në komunikatën e dërguar për media, bën të ditur së deri tani në komunën e Istogut janë ndërtuar 37 shtëpi për familjet në nevojë, ku shumica prej tyre janë investim nga buxheti komunal, ndërsa dy prej tyre donacion.

Dje, ndërkaq, Komuna e Prishtinës ndau banesa për 50 familje me gjendje të rëndë sociale.

http://kallxo.com/komuna-e-prishtines-ndan-50-banesa-sociale/