8 Mijë Qytetarë të Privuar nga Liria pa të Drejtë

Emisioni “Drejtësia në Kosovë”, ka zbuluar njërin nga skandalet më të mëdha të sistemit të drejtësisë që nga paslufta. Reportazhi i cili u transmetua këtë të premte tregoi detaje për burgosjen në kundërshtim me Kushtetutën e vendit të mbi 8 mijë qytetarëve të Kosovës të cilët janë dënuar për kundërvajtje.  Hulumtuesit e “Drejtësia në Kosovë”  kanë zbuluar se vendimet e gjykatave për t`i dërguar në burg qytetarët që kanë kryer kundërvajtje janë në kundërshtim me Nenin 29 të Kushtetutës, e cila është në fuqi që nga qershori i vitit 2008.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë”, kësaj radhe transmetoi të gjeturat nga hulumtimi i cili tregoi për njërin nga skandalet më të mëdha të drejtësisë në këto 16 vitet e fundit. Mbi 8 mijë qytetarë janë dënuar me burgim nga gjykatat vendore, në kundërshtim me normat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Sipas të gjeturave nga hulumtimi i ekipit të emisionit, asnjë nga institucionet përgjegjëse, përfshirë Gjykatat e të gjitha niveleve, dhe institucionet tjera nuk janë kujdesur që të respektohet Kushtetuta kur kanë dënuar rreth 8 mijë qytetarë me burgim për vepra të kundërvajtjeve.

Fejzullah Hasani, kryetar i Gjykatës Supreme, e pranon se nuk e kanë vërejtur se dënimet me burgim për vepra të kundërvajtjeve janë në kundërshtim me Kushtetutën. Ai thotë se përgjegjës për këtë janë të gjithë, duke u nisur nga avokatët, e deri te gjyqtarët të cilët, sipas tij, janë përgjegjësit kryesorë që mbi 8 mijë qytetarëve u janë shkelur të drejtat e garantuara me Kushtetutë.

Ai e pranon se këtë shkelje kaq masive të Kushtetutës nuk e ka vërejtur as Gjykata që e drejton ai, me gjithë faktin se Gjykata Supreme e ka për obligim që të kujdeset nëse gjykata e niveleve më të ulëta të mos bien ndesh me aktin më të lartë juridik në vend, Kushtetutën.

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, askush nga gjykata themelore dhe ajo e apelit nuk kanë dashur të komentojnë për dënimet kundër kushtetuese që i kanë shqiptuar për më shumë se tetë vite, ku janë privuar nga liria mbi 8 mijë qytetarë.

Linku i plotë i emisionit