Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa | Foto: KALLXO.com

8.6 Milionë Euro të Hyra nga Tatimet për Tre Muaj

Realizim mbi 98 për qind të planifikimit të hyrave, të hyra 8.6 milionë euro më shumë për tre muajt e parë të këtij viti dhe mbi 500 mijë euro të hyra nga procesi i faljes së borxheve, ishin disa nga të dhënat të cilat kreu i ATK-së i paraqit para Komisionit për Buxhet dhe Financa.

Në kuadër të monitorimit të realizimit të planit të të hyrave për tremujorin e parë të këtij viti, kreu i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) Sakip Imeri raportoi para Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës.

Kreu i ATK-së Imeri tha se është përmbushur 98 për qind e planit për tre muaj dhe janë realizuar 8.6 milionë euro më shumë tatime.

“Të hyrat për tremujorin e parë të vitit 2017 janë përmbushur në shkallë 98.6 për qind, ose nga 95.2 milionë janë realizuar 94.9 milionë euro të hyra, që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar për këtë periudhë janë realizuar 8.66 milionë euro më shumë, ose shprehur në përqindje 10.04 për qind”, tha ai.

Për tre muaj, për Fondin e Kursimeve Pensionale janë mbledhur më shumë se 27 milionë euro.

“Këtë tremujor janë realizuar mbi 27 milionë euro nga kontributet pensionale ose kontribut i të punësuarve dhe vetëpunësuarve për Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës”, njoftoi Imeri

Ai më tej në komision tha se Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSh) në strukturën e përgjithshme të tatimeve merr pjesë me 44.8 për qind të të hyrave, ose 42 milionë e 550 mijë e 82 euro për këtë tremujor, të Ardhurat e Korporatave (TAK) me 23.4 milionë euro, ose 24.6 për qind dhe të Ardhurat Personale (TAP) me 29 milionë euro të hyra, ose 30.6 të të hyrave të përgjithshme.

Sakip Imeri foli edhe për faljen e borxheve, ku sipas tij deri më tani, pagesa të plota si rezultat i  kushtëzimit për falje kanë qenë për këtë tremujor 510 mijë e 588 euro, ndërsa falja e përgjithshme është 8 milionë e 68 mijë e 112 euro.