Prezantimi i raportit të Rrjetit të Grave | Foto: KALLXO.com

70 Për Qind të Shpenzimeve në Ministrinë e Diasporës Shkuan për Burra

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës analizoi shpenzimet për paga dhe udhëtime të zyrtarëve të Ministrisë së Diasporës me qëllimin që me një raport në lidhje me to të ndikohet në përmirësimin e barazisë gjinore në programet për diasporë.

Në bazë të këtij hulumtimi deri në prill të vitit 2017,63 për qind e punonjësve të Ministrisë së Diasporës ishin burra dhe 37 për qind gra.

Në vitin 2016 burrat morën 70 për qind të shpenzimeve të ministrisë për paga dhe mëditje.

“Këto shpenzime më të larta pasqyrojnë faktin se më shumë burra sesa gra në vazhdimësi kanë punuar në nivele vendimmarrëse me pagë më të madhe”, thuhet në raport.

Gjatë vitit që shkoi punonjësit burra të Ministrisë së Diasporës përbënin 80% të personave që kanë bërë udhëtime zyrtare në emër të kësaj ministrie dhe vetëm 20 për qind të udhëtimeve zyrtare u kryen nga gratë.

Zyrtaret gra sipas hulumtimit të Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës kanë marrë vetëm 15 për qind të shpenzimeve për udhëtime zyrtare, ose 28,764 euro, ndërsa burrat 85 për qind të këtyre shpenzimeve, ose 162,947 euro.

Rrjeti i Grave ka rekomanduar që të përdoren masa pozitive për të inkurajuar më shumë gra të aplikojnë për pozita në të gjitha nivelet e vendimmarrjes në ministri, me qëllim të arritjes së përfaqësimit të barabartë në përputhje me Ligjin për Barazi Gjinore.

Igballe Rogova nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës tha se përmes buxhetimit të përgjegjshëm gjinor ka mundësi që sa më shpejt të implementohet barazia gjinore në Kosovë.

“Për të pasur një implementim të barazisë gjinore duhet të kemi më shumë buxhet në atë fushë, por përmes buxhetimit të përgjegjshëm gjithmonë e kemi pa që nuk është vetëm shuma e parave, por edhe ndarja e përgjegjësive të të dy gjinive”, tha Rogova.

Ndërsa Kreshnik Berisha, këshilltar politik në Ministrinë e Diasporës tha se do të marrim parasysh rekomandimet e rrjetit të grave.

“Rrjeti i grave ka bërë një punë të rëndësishme për identifikimin e sfidave që ministria jonë përballet me to”, tha Berisha.

Në shkurt të vitit 2017, Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike u zotua të zbatojë buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, në pajtueshmëri me obligimet ligjore të caktuara në Ligjin për Barazi Gjinore dhe kërkesat e bëra nga Ministria e Financave në qarkoret e fundit buxhetore.

Në korrik BIRN dhe Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës filluan bashkëpunimin për monitorimin e dhunës në baza gjinore.

http://kallxo.com/rrgk-dhe-birn-fillojne-monitorimin-e-rasteve-te-dhunes-gjinore/