Rrobat e viktimave të luftës | Foto: Komisioni për të zhdukurit

70 Komplete të Rrobave të Viktimave të Luftës Barten në Lokacionin e Ri

Janë bartur në lokacionin e ri të caktuar nga Ministria e Administratës Publike 70 kompletet e para të rrobave që kishin veshur kur u vranë e u varrosën disa nga viktimat e luftës.

“Gjatë kësaj jave, janë transferuar ‘70 setet e para të rrobave dhe artefakteve të personave të zhdukur, të identifikuar”, thuhet në komunikatën e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Transferimi i rrobave është mundësuar nga bashkëpunimi mes Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore, me përkrahjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe Ministrisë së Administratës Publike.

nga vti 2003 rrobat e viktimave të identifikuara të luftës mbaheshin në një tendë në hapësirat e Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Transferimi i rrobave, sipas komunikatës, ka nisur “me qëllim të evitimit të dëmtimit të mëtutjeshëm të këtyre rrobave dhe artefakteve të gjetura së bashku me mbetjet mortore të personave të zhdukur.

KALLXO.com shkroi të premten për nisjen e këtij transferimi.

http://kallxo.com/hapesire-e-re-per-rrobat-e-viktimave-te-luftes/

Në komunikatë u bë e ditur se kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj ka thënë se projekti do të zhvillohet në dy faza dhe do të përfshijë bartjen e të gjitha rrobave që ndodhen në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur transferimin e rrobave nuk e sheh si përfundimtar, pasi ato duhet të vendosen “në muzetë apo eventualisht në ndonjë kompleks memorial që do t’u dedikohej çështjes së personave të zhdukur dhe në përgjithësi viktimave të luftës”.

Gazeta Jeta në Kosovë në vitin 2015 shkroi për gjendjen e keqe të rrobave të viktimave të luftës.