7 Vjet Burg për Dy Anëtarët e “Al Nusrës”

Lajmin për dënimin e konfirmoi për KALLXO.com Hedije Ademi, avokate e Nexhat Behlulit.

Ajo dënimin e konsideroi të rëndë.

“Dënimi ka qenë shumë i rëndë, duke pasur parasysh se ata kanë pranuar fajësinë. I mbrojturi im ka qenë për një kohë shumë të shkurtër në Siri. Ai atje ka qenë për arsye humanitare dhe është penduar që ka qenë atje,” tha Ademi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Arben Livoreka më 28 nëntor të vitit 2013 nga Aeroporti “Adem Jashari” udhëtoi për në Stamboll dhe më pas kaloi në Siri ku u bashkua me grupin “Harausham” që ka vepruan në kuadër të Al-Nusras, ku ka qëndruar për dy muaj e gjysmë.

Ai ishte kthyer në Kosovë menjëherë pasi kishte plasur konflikti meqë ISIS kishte dashur të marrë nën komandën e tyre këtë organizatë.

Edhe i akuzuari tjetër, Nexhat Behluli, më 9 mars 2013 i është bashkangjitur organizatës Al-Nusra por pasi kanë lindur konfliktet mes tyre është kthyer në Kosovë me 30 mars të atij viti.

Të dy në seancën e zhvilluar para një jave në Gjykatën Themelore të Prishtinës shfaqën pendesë për veprimet e tyre.

Po atë ditë avokatët e të akuzuarve kërkuan që gjykata në vendimin e saj të marrë parasysh rrethanat lehtësuese gjatë shpalljes së vendimit.

http://kallxo.com/kosovaret-qe-nuk-pranuan-komanden-e-isis-it-pranojne-fajesine/