64 Vjet Burg për Vjedhjen që Përfundoi me Vrasje

Të akuzuar për vjedhje grabitqare, gjatë së cilës në shtëpinë e tij u vra Rasim Gashi, të pandehurit Alfred Zylfaj, Shaqir Kuqi, Mehmet Krasniqi e Shkëlzen Dervisholli janë gjetur fajtorë dhe janë dënuar me burg.

Zylfaj u dënua me 20 vjet burgim, Kuqi me 16, dhe Krasniqi e Dervisholli me nga 14 vjet.

Vjedhja grabitqare kishte ndodhur në Vragoli të Fushë-Kosovës në vitin 2010.

“Alfred Zylfaj për dy vepra penale dënohet me dënim burgim prej 20 viteve, Shaqir Kuqi për veprën penale nga dispozitivi i parë është dënimi 15 vite e 6 muaj, për veprën e dytë është dënim me burg prej 1 viti, dënimi unik 16 vite, Mehmet Krasniqi dënim me burg në kohëzgjatje prej 14 vite, Shkëlzen Dervisholli dënim me burg 14 vite”, tha Shadie Gërguri kryetare e trupit gjykues gjatë leximit të aktgjykimit.

Ky rast është kthyer nga Gjykata e Apelit në rigjykim pas ankesave të prokurores dhe avokatëve të të akuzuarve ndaj aktgjykimit të vitit 2014, kur të akuzuarit ishin dënuar me dënime më të buta.

Më 2014 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte dënuar Alfred Zylfajn me 15 vjet e gjysmë burgim, Shaqir Kuqin më 13 vjet e gjysmë burgim, Mehmet Krasniqin me 10 vjet burgim, Shkëlzen Dervishollin me 10 vjet burgim dhe Isuf Sllamnikun me 2 vjet e 7 muaj burgim.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit kishin hyrë në një shtëpi, ndërsa pasi ishin vërejtur nga ata që jetonin në të, gjuajtën edhe me armë duke vrarë pronarin e shtëpisë Rasim Gashin.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi rreth këtij procesi gjyqësor. Raportet nga seancat e kaluara mund t’i gjeni këtu.